Ronaldo: Kur u tërhoqa nga futbolli, rashë në depresion

Legjenda e futbollit brazilian, Ronaldo Nazário, ka bërë një rrëfim të ndjerë për periudhën më të vështirë të jetës së tij pas përfundimit të karrierës si futbollist. Ish-kampioni i botës me Brazilin tregoi se largimi nga futbolli në vitin 2011 e futi në një depresion të rëndë.

Në një intervistë për podcastin ‘Futebol Legends Talks’, ish-sulmuesi pranoi se nuk ishte aspak i përgatitur emocionalisht për t’i dhënë fund karrierës në moshën 34-vjeçare.

“Kur vendos të ndalosh së luajturi, ndihesh sikur ka vdekur një njeri shumë i afërt. Rashë në një depresion të rëndë dhe shtova shumë në peshë. Ishte jashtëzakonisht e vështirë të largohesha nga futbolli. Ideja që nuk do të luaja më, qoftë edhe për një periudhë, ishte shkatërruese për mua”, u shpreh Ronaldo.