Tani..të gjithë duan të hipin në autobuzin e De Biazit!

-Nuk do të tregoheshim të sinqertë, nëse nuk do të pranomim se trajneri ka fituar bastin edhe brenda familjes. Pak besonin që Cana nuk do të ishte në ndeshjen e fundit dhe askush nuk besonte se De Biazi, për të cilin u tha se mori dhuratë kualifikimin nga zyrtarët, do t’i kthente borxhin shefave me një përqindje tepër joshëse-

Ju kujtohet një frazë disi e veçantë, kur gara ende nuk kishte filluar? Futbolli do të prishë gardhet që ka ngritur politika dhe topi do të jetë simboli i lirisë. Por, një serial ndeshjesh, zbuluan të kundërtën: edhe futbolli kishte ngritur gardhet e veta, duke ruajtur portën me një fanatizëm lodhës. Mendja të shkonte te një anektode, të cilën e morëm me të qeshur. Në një dyqan mode, ku po shitej një mall special, ishte krijuar radhë e madhe. Klientët ishin, të gjithë, të njohur dhe të famshëm në vendet e tyre…shumica e trajnerëve të ekipeve pjesëmarrës në Francë. Secili do të blinte “autobuzin” ( simbolikë për lojën në mbrojtje), që porta të mbetej me shenjën e virgjëreshës. Edhe trajneri ynë, De Biazi, mori një fringo, për të cilin më shumë ndolli kritika dhe dyshime, sesa urime. Një palë, komentonin se ishte aq i madh, sa do të mbulonte tërë portën. Ca të tjerë, dyshonin se ishte i bukur nga jashtë, por nuk i ndizej motori për të lëvizur përpara. Ajo që ndodhi në fushë, në fillim me Zvicrën dhe pastaj me Francën, ishte një përgjigje e trajnerit për të gjithë ne që dyshuam. Edhe pse me dy humbje, në një Europian të dënuar nga pragmatzimi i tepruar, Shqipëria kishte kapërcyer limitin. Aventura e saj do të bëhej më e plotë, nëse flirtonte me golin dhe pastaj me pikët.

Ajo që ndodhi me Rumaninë, duket si skenar i një filmi me fillim të frikshëm, por me fund të lumtur. Cili nga ne, në 20 apo 25 minutat e para nuk ishte gati të “digjte autobuzin” e trajnerit De Biazi? Pasi kemi mundur Rumaninë, me një gol tepër të çmuar të Sadikut, ku euforia nuk na lejon të kujtojmë edhe daljen bamirëse të portierit rumun, kemi kuptuar se shënuam golin e jetës. Një gol në portën e historisë, per një ekip të djegur për lavdi të vërtetë. Vlen 3 pikë, që në këtë kompeticion çmohet si pasuri, mund të jetë i bekuar nëse na ndihmon Zoti të zgjidhim ekuacionin sfilitës të grupeve. Por, sido që të shkojë, De Biazi me autobuzin e tij ka shkuar përtej stacionit të parashikuar. Nuk do të tregoheshim të sinqertë, nëse nuk do të pranomim se trajneri ka fituar bastin edhe brenda familjes. Pak besonin që kapiteni Cana nuk do të ishte në ndeshjen e fundit dhe askush nuk besonte se De Biazi, për të cilin u tha se mori dhuratë kualifikimin nga zyrtarët, do t’u kthente borxhin shefave me një përqindje tepër joshëse.

Gëzim Sinemati