Mu në ditën e dasmës, “dhëndëri” i moshuar Edi Reja ia dredh..”nuses”

Nuk qënka e thënë, netët pa gjumë do të vazhdokan! S’paska qënë gjë turpi me Andorrën, as kthimi në futbollin e vjetër me Francën, sepse ka një lojë tjetër, e cila  luhet me më shumë kurthe taktike,  përtej dritave  të stadiumit “Arena”.   Trajneri Reja, ai që na lutej prej kohësh që të vazhdonte bashkëjetesen me Kombëtaren, tamam  në çastin kur palët do t’i thonin “po” njëri- tjetrit në altar, na paska prishur “dasmën”.  Çifti  kuqezi , papritur, si nëpër filmat e pabesë , ka  ndryshuar rolet. Tani është presidenti Duka që po i lutet trajnerit Italian për një kontratë të “lumtur” 4- vjeçare, kurse Edi Reja nuk pranoka. Nuk pranon edhe  sikur t’ia shtrokan  me flori. Presidenti ynë, këtë here, më  i sinqertë se kurrë,  i paska thënë se të drejtosh Kombëtaren tonë nuk është problem mosha, sepse loja jonë është edhe më e vjetër, nuk janë problem as humbjet, as barazimet zhgënjyese . Shyqyr zotit  që nuk i ka thënë se ne dimë të fitojmë edhe kur humbasi)!  Por, më në fund, italiani është dorëzuar :  pranoj vetëm 2 vite të tjera, sepse 4 janë shumë…!

4 vite apo 2?  Thonë se presidenti Duka dhe trajneri Reja do të gjuajnë “penallti” në një takim tjetër për të vendosur se cili do të jetë fituesi.  Po të besosh tek bastet, gjuha e mëmës në futbollin tonë, “ndeshjen” do ta fitojë presidenti ynë,( ai që i blen shtrenjtë  dhe i shet  lirë trajnerët e huaj), ndersa  Rejan nuk ka anije që ta kthejë në Itali , duke pranuar shumën “qesharake” prej 25 mijë euro në muaj. Që do të thotë se ne dimë të humbasim ndeshje në fushë, por ama, kur flitet për beteja ekonomike, s’ka burrë që na driblon…

Sfidanti.al