Mos e harroni? Presidenti Duka më i  bukuri, Panuçi..më zemërgjëri!  

Tradhëti kuqezi për kapitenin Ansi Agolli, lumturi kuqezi për lojtarin që shpesh vjen nga  stoli.. Andi Lila. I pari është braktisur nga trajneri Panuçi në dy ndeshjet e fundit, i dyti është “zbuluar” si kapiten i ndeshjes miqësore me Norvegjinë.  Pyetja është e thjeshtë dhe nga ato që tundimi e fundos heshtjen: përse pikërisht Andi Lila , kur dihet nga të gjithë se më shumë vjen nga stoli, sesa nga zemra e lojës?

Kjo pyetje nuk vlen vetëm për trajnerin Panuçi, por edhe për “trajnerin” e Panuçit, që ndihet më i pushtetshëm dhe i realizuar kur futbollistët e mbajnë kokën ulur dhe janë të gatshëm për të recituar kasetën  e hipokrizisë, atje ku mëson të jesh i lumtur edhe në kulmin e zhgënjimit. Sikurse Agolli, apo dhe kapitenët e tjerë , në krahët e të cilëve ka qëndruar shiriti,  na kanë folur shpesh, vetëm me parafabrikatet e marifetit  kuqezi , ku janë gati të thonë se më të lumtur po ikin nga ekipi, se sa ishin ..kur erdhën. E paharruar, madje e skalitur reziston  fraza e trajnerit Bellait , kur e hoqën mu në pabesinë e natës si trajner të moshave: “ Bënë mirë që larguan, se nuk e kisha marrë me tapi..”

Por, pyetja është gjetiu dhe  bëhet tunduese: përse pikërisht Lila kapiten ?  Agollit i kanë prerë gjuhën, nuk flasin as Hysaj, Mavraj apo Berisha, që për të keqen tonë, po jetojnë dyzimin profesional midis asaj që ndodh në klubet e tyre në Europë dhe tjetrës, lojës despotike, ku shiriti i vërtetë nuk është në fushë. Dhe nuk është çështje trajneri, daç ta ketë emrin Xhani, në mos edhe Kristian. Sa mirë sikur ta kishte Armand! Po kur na u duk si budallëk me bri, kur një futbollist kuqezi, i mrekulluar nga ditlindja e shefit “superlojtar”, kaperceu orbiten me urimin e tij: “ Ju jeni presidenti më i bukur që kam parë në këtë Botë..”

Sfidanti. al