Kur na driblojnë: Spanja me top, De Biazi pa top..

– Zakonisht, për atraksion turistik, ne shpesh, i kthehemi bunkerëve, për t’i kujtuar vetes dhe të huajve se jeta jonë ka qënë në formën e bunkerit. Kurse De Biazi, bunkerin e ngriti në fushën e re të stadiumit të Shkodrës, në një ndeshje ku duhet t’i tregonim botës kureshtare, se niveli në Europian nuk ishte kapriçio, por realitet-

Fjalët e trajnerit De Biazi, fill pas humbjes pa histori me Spanjën, ku Kombëtarja u kujdes për të rritur lepurin e frikës për 90 minuta, kanë lënë gjurmë : “ Iki nëse nuk e sulmojmë Italinë”. Futbolli me gjuhën e basteve, iki apo rri pas një ndeshjeje, nuk është në stilin e ekipeve përfaqësuese, por, trajneri ynë ka dy pasaporta, ku italiani me shqiptarin klonohen sipas rastit. Pas një ndeshje, ku nuk kemi bërë asnjë sulm, ku vija e mesit të fushës ngjasonte si vija e kufirit, ku tifozët i kemi kthyer pas në vite, pikërisht në vitet 70-80-të, atëhere kur Kombëtarja harbonte popullin sapo kalonte mesin e fushës, De Biazi, premton parajasën kundër Italisë. Pse kjo sjellje që ngjall dyshime? Një trajner që mori gjithë përkëdhelitë e merituara dhe të pamerituara në ndeshjet kualifikuese dhe në finalet e Europianit, këtë herë kishte shansin për të marrë meritat e zhgënjimit. Zakonisht, për atraksion turistik, ne shpesh, i kthehemi bunkerëve, për t’i kujtuar vetes dhe të huajve se jeta jonë ka qënë në formën e bunkerit. Kurse De Biazi, bunkerin e “ngriti” në fushën e re të stadiumit të Shkodrës, në një ndeshje ku duhet t’i tregonim botës kureshtare, se niveli në Europian nuk ishte kapriçio, por realitet..

Pse trajneri shkon tek Italia, pa na treguar sekretet e dështimit me Spanjën? Një besimtar fanatik i lojës në mbrojtje, do të shtypka butonin kur të luajmë ndaj Italisë. Dhe jo vetëm do t’i sulmojmë, por paskemi për t’i nxirrë edhe jetën. Kjo mënyrë reflektimi e Xhanit tonë të stolit, që shpreson shumë te amnezia ( harresa) kolektive e shqiptarëve, është si të godasësh topin, por në portën tënde. Me bindjen se ne fryhemi, po aq shpejt sa dhe harrojmë, tekniku, na parashuton tek Italia.Sikur të besojmë, portjerin Berisha nuk do ta qarkojë me “rojet zvicerane”, ata që ishin gati të festonin për humbjen dinjitoze…vetëm me dy gola. Një humbje spektakolare për nga cilësia e keqe, e cila duam apo s’duam, do të futet në arkivë si ndeshja kampione e frikës. Edhe topin e kësaj ndesheje, kishim arsye ta kishim vjedhur, për ta vendosur në muzeun e FSHF-së me një diçiturë të thjeshtë dhe shpotitëse: “ Topi, të cilin frika dhe Spanja nuk na lanë ta preknim”. Për të ndihmuar këtë logjikë, le të kujtojmë edhe frazën e gazetarit spanjoll,Gonzales, veteran i medias, që shoqëronte ekipin e tij përfaqësues: “ Kam vite që e ndjek Shqipërin. Kjo është ndeshja më inferiore që ata kanë bërë”. Si ilustrim, skena e “filmit”, në pjesën e dytë të ndeshjes, ku trajneri Lopetegui vazhdonte të qullej në këmbë në shi, kurse trajneri ynë ishte strukur thellë në stol. Sepse na dukej sikur hallin më të madh e kishin ata dhe jo ne.

Gëzim Sinemati