Minuti i heshtjes në Australi për vdekjen, dhe “përplasja e kulturave”!

Shkaktoi zemërim të madh në botën perëndimore refuzimi i skuadrës kombëtare të futbollit të Arabisë Saudite për të mbajtur një minutë heshtje në kujtim të viktimave të atentatit në Londër. Ndeshja luhej në fushën e Australisë dhe ndër ata që kishin humbur jetën ishin edhe dy gra australiane. Federata e Futbollit e Arabisë Saudite kërkoi falje për sjelljen e futbollistëve, duke i dhënë fund në një farë mënyrë diskutimeve, ndërsa nga lojtarët dhe stafi i ekipit kishte ardhur një spjegim se kjo mënyrë nderimi për të vdekurit nuk bën pjesë në kulturën e vendit, në kulturën myslimane.

Gjithsesi, ky duket më shumë një justifikim, ndërsa ajo që ndodhi në prag të ndeshjes eleminatore të Botërorit thjesht na ndihmon sesa shumë i duhet njerëzimit që të jetë më i bashkuar, më global dhe ta kuptojë më mirë vetveten. Lojtarët arabosauditë janë përditë nën ndikimin e predikimeve se ata që nuk janë myslimanë nuk janë njerëz të mirë, dhe në ligjin mysliman të sheriatit (sharia) është një fjali ku thuhet se “një mysliman që vret një jomysliman, nuk bën krim” (pak a shumë kështu).

As kjo, megjithatë, nuk e thotë gjithë të vërtetën. Vendet arabe, si të gjitha ato të ashtuquajtura vende “të botës së tretë”, kanë vuajtur shumë nga kolonializmi dhe shfrytëzimi i shteteve perëndimore. Po ashtu, sot e kësaj dite, vende të tilla si Siria apo Iraku kanë tragjedi të panumërta ku humbin jetën qindra e mijëra njerëz dhe pak mendohet të mbahet një minutë zi për ta. Nëse kjo do të ndodhë për të gjithë, besohet edhe lojtarët e Arabisë Saudite do ta kenë më të lehtë të mbajnë një minutë zi për europianët dhe australianët.

Sfidanti.al