Diego Kosta, talenti i madh që “dogji veten” tek Çelsi

Verën e kaluar, ndërsa Çelsi ishte në turne në SHBA, Diego Kosta kërkoi të mos merrte pjesë në një seancë të vështirë stërvitore, duke thënë se kishte dhimbje në shpinë. Trajneri Antonio Konte, ia lejoi këtë gjë, por nuk e përzgjodhi në dy takimet e radhës ndaj Liverpulit dhe Realit. Konte deklaroi se i mbetej besnik parimit të tij se “nuk mund të aktivizoj në ndeshje, asnjë lojtar që nuk është plotësisht gati fizikisht dhe që nuk merr pjesë plotësisht në seancat stërvitore”. “Rebelimi” i sulmuesit vazhdoi edhe gjatë sezonit, një herë duke u zënë në stërvitje me një përgatitës atletik, dhe një herë duke kërkuar me zemërim zëvendësimin në një ndeshje të Premier Ligës. Më pas, në rrjetet sociale doli një video që tregonte Kostën duke pirë një shishe birre në dhomën e zhveshjes, si dhe pati edhe probleme të tjera.

“Pika” e fundit që “derdhi” gotën ishte këto ditë kur Konte u dërgoi një mesazh të gjithë lojtarëve të tij, duke i uruar për pushimet dhe duke i kërkuar që të bënin aktivitet fizik për të mbajtur trupin në formë. Kosta i ktheu një përgjigje ndoshta me shaka, por që e zemëroi trajnerin, dhe më pas erdhi sms-ja e famshme ku italiani i thoshte sulmuesit se “nuk je më në planet e mia”. Antonio Konte po hedh poshtë një sulmues që ka dhënë më shumë pikë se çdo lojtar tjetër në Angli, dhe që ka mesatare goli tek Çelsi më të mirë se Didie Drogba. Gjithsesi, për ish-lojtarin dhe ish-trajnerin e Juventusit dhe të Italisë, gjërat kryesore janë disiplina dhe kolektiviteti.

Sfidanti.al