Fundi i marrëzisë…

Deri të shtunën, java e katërt e Kategoristë Superiore prodhoi një tabelë qesharake rezultatesh, nga ato që nuk ndodh t’i shohësh askund tjetër. Në katër ndeshje të luajtura, tre përfunduan 0-0 dhe vetëm kampionët që vazhdojnë të jenë ndryshe mundën të shënonin një gol. Por për të mos na e ulur optimizmin që na karakterizon, na u tha se duhet pritur edhe 24 orë, pasi në kalendar është derbi dhe kjo jo vetëm për të përmirësuar imazhin e këtij futbolli që ka nisur në mënyrën më të keqe të mundëshme, por edhe me idenë se derbi do të na bënte një surprizë të bukur. Pra vetëm me qëllimin e mirë, na u tha të bëjmë pak durim dhe të presim për të shijuar mrekullinë e djellit që del për të shkëlqyer, pas një shiu të mërzitshëm. Dhe ne pritëm, siç kemi pritur në më të shumtën e ditëve të jetës, të na vijnë vetvetiu të këqijat dhe të mirat. Kurse derbi ishte njëlloj si e premtja dhe si e shtuna, dy zero të tjera në të dy krahët e fushave, por vetëm se këtë rradhë nuk na gënjyen kur na thanë se kjo është vitrina futbollit shqiptar… kjo është. Por një gjë vazhdon të më mbetet e pakuptueshme dhe kjo është mënyra e dhunshme se si përgatiten ndeshjet derbi nga njerëzit e mediave, pikërisht nga ata që i kanë dhënë atribute vetes për të na montuar javë pas jave vitrina përpara fytyrës. Madje çuditërisht edhe kjo bëhet për një qëllim të mirë, për ta bërë ndeshjen shumë më interesante se mundësitë që kanë skuadrat në fushën e lojës. E njëjta gjë në prag të çdo takimi. Parashikohet që 5-6 ditë përpara një atmosferë tejet inkadeshente, flitet pa fund për banera dhe flakadanë dhe kur afrohet dita e madhe kontaktohen tifozë që prezantohen si “ultras” të thekur, për të cilat e djela dhe të gjitha të djelat kur luajnë këto dy skuadra janë më të rëndësishme se e djela e tyre e dasmës. Edhe në këtë rast nuk kishte sit ë bëhej përjashtim, në të kundërt u fol aq shumë për tifozeri të ashpra, që duhet t’u hiqet mundësia e kontaktit me njëri tjetrin, në të kundërtën mund të pritet një “Vaterlo” me përmasa të ngjashme, ose diçka më pak se ajo e Napoleonit. Ndërkohë që pre e këtyre parashikimeve ra edhe policia e shtetit, e këtij shteti, që kur do vihet në lëvizje edhe nga një edicion lajmesh. Kështu, në planin e masave të hartuar me aq nxitim, siç ndodh në kohë emergjencash, u përfshi edhe një ide absurde: Për të mbërritur në “Elbasan Arena” tifozeritë do të ndaheshin, një pjesë do të udhëtonte nga rruga normale (sigurisht të survejuar nga uniformat blu) dhe pjesa tjetër nga Rrogozhina. Në këtë mënyrë do të bëhej i mundur evitimi i përplasjeve të përgjakshme. Ndërsa ditë pas dite, buballalëku vazhdoi të amplifikohej dhe Federata Shqiptare e Futbollit nuk mund të qëndronte indiferente, sidomos në raste kur hyjnë në mes interesat e kombit. Gjenitë e zyrave përballë Ambasadës Amerikane hodhën një tjetër ide brilante; të hiqeshin ulëset në tribunat ku do të sistemoheshin tifozët, përveç poltronave të tribunës VIP.

Pra aq ishin përgatitur të prisnin barbarë të gatshëm për t’i shqyer stolat, për t’i flakur, për t’i përtypur, saqë pranuan të shkelnin një prej pikave të rëndësishme të rregullores së UEFA, që e kanë implementuar edhe në të tyren, sipas të cilës, në asnjë sektor stadiumi me vende në këmbë, nuk duhet të lejohet kategorikisht prania e tifozëve. Dhe vende në këmbë quhen ato që nuk kanë stola. Dhe fundi i marrëzisë vjëen gjatë ndeshjes, kur komentatorët u çuditën me sjelljen normale të tifozerive dhe vazhdimisht kujtonin të zhgënjyer se ky derbi duhet të ishte si ai i Gllazgout, Beogradit, Athinës, Zagrebit, apo Varshavës. Por pavarësisht gjithë kësaj çmendurie nxitëse nuk ndodhi asgjë, as përpara as pas derbit, as menjëherë pas tij dhe as tani që kemi filluar të presim derbin tjetër. Partizani dhe Tirana janë dy skuadra të një kryeqyteti, që dikur ka pasur një numër shumë të kufizuar banorësh dhe mbështetësit e tyre janë rritur në të njëjtat rrugica, me të njëjtat halle që të bënin solidar për të përballuar një jetë shumë të vështirë, ndërsa skuadrat e futbollit ishin thjeshtë preferenca sportive, që arrinin maksimumi në debate disa orëshe, ndonjëherë me tone më të larta se normalja. Tifozët e tanishëm janë thjeshtë pasardhësit e tyre, me ndryshimin e vetëm se bëjnë një jetë shumë më aktive, apo janë më të lirë. Por kanë të njëjtën qytetari, si ata që i sollën në jetë dhe geni nuk mund të deformohet nga thirrjet idiote për t’i ngjarë Beogradit, apo Varshavës. Në Gllazgou tifozët e derbit janë rreshtuar si antagonist, si pasojë e një konflikti të vjetër fetar midis protestanëve dhe katolikëve, ndërsa këtu nuk mund të gjendet asnjë ngjashmëri. Në Tiranë e kudo në Shqipëri jetojnë normalisht besimtarë të të gjitha feve, ateisë, hebrenj, ujgurë e muxhahedinë. Në shkallët e stadiumeve të Beogradit dhe Athinës dominojnë nacionalistët dhe anarkistët, çfarë lidhje kanë këta tanët që duhet t’i imitojnë? Në “Elbasan Arena” pamë djem e vajza, familjarë me fëmijë, të cilit kishin udhëtuar për të ndjekur një ndeshje futbolli dhe sapo Enea vërshëlleu për ta mbyllur u nisën për në shtëpi. Ata janë gjithmonë një vitrinë, por që herë pas here duhet pastruar nga avujt e frymës së llafazanëve, që urojnë dhunën për t’i dhënë jetë një spektakli që nuk ekziston.

Saimir Demi