Zdravko Mamiç, i forti tipik ballkanas që dominoi futbollin kroat!

Doli nga makina si çdo herë tjetër. Në vend të përqafimeve apo duartrokitjeve, u prit me plumba. Zdravko Mamiç, ish-presidenti dhe ende njeriu më i fuqishëm i Dinamos së Zagrebit, u sulmua me armë zjarri në Tomisllavgrad, qytet në Bosnjë-Hercegovinë, por ia doli të mbijetonte, ndërsa atentatorët u larguan në një pyll aty pranë.

Atentati ndaj njeriut më të famshëm dhe më të përfolur të futbollit kroat shkaktoi plagë në këmbë, por jo rrezik për jetën. Mamiç u dërgua me të shpejtë në spitalin e qytetit, ku mori ndihmën e parë dhe ku mjekët nxorrën përfundimet e tyre. Burime nga spitali bëjnë me dijë se 58-vjeçari ndjeu dhimbje të forta nga plumbat që i kaluan mbi gju, ndërsa deklarojnë se po vazhdon mjekimi.

Ende nuk dihet se nga kush u bë atentati dhe për çfarë arsyeje, por është e qartë se Mamiç duhej të ruhej nga shumë drejtime. Në 7 qershor të këtij viti, ai u sulmua me grushta në portin e vogël Bol, në një ishull turistik pranë Splitit, ndërsa sherret nuk i janë ndarë.

Ai u godit në stadiumin e Splitit, “Poljud”, pasi festoi në mënyrë provokuese një gol të skuadrës së tij, Dinamo, në atë që njihet si derbi më i madh i Kroacisë, dhe një nga derbit më të nxehtë të Ballkanit dhe të Europës. Legjendare janë pamjet filmike të largimit të tij nga stadium nën mbrojtjen e policisë, ndërsa kishte marrë goditje në kokë.

Mamiç nuk i kishte punët mirë as në klubin e tij. Tifozët ultras, të mbiquajtur “Djemtë e Këqinj Blu”, “Bad Blue Boys” sipas emrit të tyre zyrtar në anglisht, e kishin halë në sy, duke e akuzuar se mendonte vetëm për xhepin e tij, duke shitur lojtarët më të mirë të Dinamos, dhe duke dobësuar vazhdimisht skuadrën.

Luka Modriç u transferua për 21 milionë euro, Vedran Çorluka tek Siti për 13 milionë, Eduardo tek Arsenali për 13.5 milionë, Mateo Kovaçiç tek Interi për 11 milionë apo Mario Manxhukiç për 7 milionë. Gjithsesi, edhe për këto transferime ai ka përfunduar në gjyq, i akuzuar për shmangie nga taksat dhe përvetësim të të ardhurave, ndërsa dëshmitar në gjyq është thirrur edhe ylli i sotëm i Realit, Modriç. Modriç akuzohet për dëshmi të rreme, pasi e ndryshoi atë në gjyq dhe rrezikon nga 6 muaj deri në 5 vjet burg, sipas Kodit Penal kroat.

Megjithatë, akuzat më të rënda për bosin e Dinamos janë ato për pastrim parash dhe për privatizimet e pasurisë kombëtare, për të cilat dyshohet se i shkaktoi Kroacisë një humbje prej 14 milionë kunash. Mamiç ka provuar edhe burgun, dhe është rast tipik i njerëzve të pasuruar shpejt në vendet e quajtura ish-socialiste, në Europën Lindore dhe Ballkan.

Përpara dy viteve, Zdravko Mamiç, erdhi në Shqipëri bashkë me delegacionin e Dinamos së Zagrebit, dhe ndoqi ndeshjen e e plej ofit të Championsit ndaj Skënderbeut në “Elbasan Arena”.

Sfidanti.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *