Enea Mihaj ka zgjedhur të hedhë një hap të ri në karrierën e tij, duke kaluar përtej Atlantikut. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka nënshkruar me klubin amerikan Atlanta United, që garon në Major League Soccer (MLS), duke nisur kështu një eksperiencë të re në elitën e futbollit amerikan. Kontrata e firmosur e lidh Mihajn me klubin deri në vitin 2028, me një mundësi për zgjatje edhe për një sezon shtesë. Sipas njoftimit zyrtar të klubit, ai do të jetë i gatshëm të debutojë më 24 korrik, kur zyrtarisht hapet dritarja verore e merkatos në SHBA. Pas një sezoni në Portugali me Famalicao-n, ku përfundoi kontratën, Mihaj mbërrin në SHBA si lojtar i lirë. Megjithëse pati interes nga disa klube italiane, marrëveshja me ta nuk u realizua dhe në fund ishte Atlanta që bëri lëvizjen vendimtare për ta afruar. Në MLS, Enea Mihaj pritet të përballet me emra të mëdhenj, përfshirë edhe Lionel Messin. Atlanta United, e cila po kalon një moment të vështirë dhe ndodhet aktualisht në vendin e 14-të të renditjes, shpreson që përforcimi me mbrojtësin shqiptar të ndihmojë në kthesën e sezonit. Një sfidë e re për një lojtar që kërkon të rikthejë formën më të mirë në një ambient ndryshe dhe me një konkurrencë gjithnjë e më në rritje.
sfidanti.al