Tifozët e Liverpulit presin Epokën nga “Mesi i Ri”, Mo Salah!

“Ai është në rrugën për t’u bërë një Lionel Mesi i dytë”. Këto ishin fjalët e Jurgen Klopit pasi pa me sytë e tij Mohamed Salahun të shënonte 4 gola ndaj Uatfordit, në emër të Liverpulit. “Magjistari” egjiptian nuk ka fituar pak nofka dhe epitete këta muaj, por tifozët e të kuqve shpresojnë diçka më shumë.

Nëse ai mund të bëhet një Mesi i dytë, pse të mos hapë një Epokë të re në “Anfild”, po aq të madhe sa ajo e Leos në “Kamp Nou”? Pyetja e dytë e tifozëve është nëse ai dhe klubi do t’u rezistojnë ofertave të jashtëzakonshme që normalisht pritet të vijnë në verë nga gjigandë si Reali, Barça apo dikush tjetër?

Liverpuli natyrisht i ka epokat e tij në histori dhe Salah do të ishte një nga të tjerët. Më herët, “Anfildi” mban mend emrat e trajnerëve të mëdhenj Bill Shenkli e Bob Pejsli apo të yjeve si Kevin Kigan, Keni Daglish, Jan Rash apo Graham Sunes. Po ashtu, Klop ka deklaruar se pronarët janë gati të shpenzojnë në verë që të krijojnë një skuadër që të luftojë për titull.

Për momentin, sidoqoftë, Salah duhet të vazhdojë shkëlqimin këtë sezon, të ndihmojë ekipin të sigurojë Championsin nga kampionati, dhe pse jo, të synojë vetë Championsin në maj. Ai ka shënuar 36 gola në edicion, 28 prej të cilëve në kampionat. Egjiptiani me numrin 11 ka lënë pas legjendat Suarez e Torres, ndërsa mund të kapë edhe rekordin e golave në një sezon të Liverpulit, që mbahet nga Jan Rash me 47 rrjeta.

Sfidanti.al