Brazili po kalon një nga momentet më delikate në historinë e tij të futbollit dhe, sipas Paulo Silas, rruga për t’u rikthyer në majën e futbollit botëror është ende shumë e gjatë. Ish-mesfushori i Seleçaos, kampion i Copa América-s në vitin 1989 dhe pjesë e San Lorenzos që u shpall kampion i Argjentinës në vitin 1995, ka dhënë një vlerësim të ashpër për situatën aktuale të kombëtares braziliane, e cila u eliminua në fazën e 1/8-ave të Botërorit të fundit. “Besoj se do të duhet shumë kohë për ta parë sërish Brazilin kampion bote”, deklaroi Silas për ESPN. Sipas tij, Seleçao aktualisht është larg fuqive kryesore të futbollit ndërkombëtar.
“Argjentina është përpara nesh. Edhe Portugalia, ndonëse nuk ka fituar trofe të mëdhenj, është më e fortë. Ndoshta ishte më mirë që u eliminuam nga Norvegjia, sepse ndaj Argjentinës do të kishte qenë edhe më keq”, u shpreh ish-futbollisti. Silas e sheh problemin kryesisht te mungesa e talentit në disa pozicione kyçe. “Prej shumë kohësh Brazili nuk ka një numër 10 të vërtetë dhe as një numër 9. Të gjithë duan të luajnë si anësorë të djathtë. Për më tepër, nuk po nxjerrim më mbrojtës të krahut të nivelit të lartë, sepse sot ky pozicion nuk i tërheq të rinjtë dhe nuk u jep shumë vëmendje në rrjetet sociale”. Pavarësisht kritikave, Silas mbron Carlo Ançelotin, duke e konsideruar të pafajshëm për problemet e Seleçaos. “E njoh që nga koha e Milanit. Është një njeri i jashtëzakonshëm. Problemi nuk është ai, por nis shumë më herët, që nga akademitë e të rinjve. Sot djemtë nuk dinë më se kë të marrin si model”. Në fund, Silas foli edhe për disa prej yjeve brazilianë. “Vinicius Junior nuk është një futbollist i klasit botëror, por një lojtar shumë i mirë. Sa i përket Neymarit, në Brazil ai ende ndan opinionin publik: gjysma e vendit e do, ndërsa gjysma tjetër e kritikon”.

