Tare, “magjistari” që prodhon qindra milionë euro për Lacion

Nëse ka një drejtor sportiv për të cilin po flitet më shumë në Itali, ky është Igli Tare. Mediat vazhdojnë t’i thurin lavde drejtuesit të lartë të Lacios, që po shkëlqen në rolin e tij, pasi përfundoi një karrierë të rëndësishme si lojtar.

Keitanë shkoi ta merrte kur ishte 16 vjeç. Udhëtoi për në Barcelonë ku e bindi të bashkohej me Lacion, ndërsa pasi djaloshi u rrit dhe nisi të shkëlqente, i mori 30 milionë euro kartonit të tij. Kush e harron Tomas Strakoshën? Portieri i ri shqiptar u mor me parametër zero, falë edhe miqësisë së Tares me babanë e tij, Foton, ndërsa tani 22-vjeçari është një nga portierët më të mirë të Serisë A, pse jo edhe të Europës.

Një nga “goditjet” e tij më të mira mbetet holandezi, Stefan De Vraj. Ai u mor vetëm për 8.5 milionë euro, pagesë e vogël në futbollin e sotëm, ndërsa kartoni i vlen 30 milionë euro. Për fat të keq, mrekullia e Tares nuk shkoi dot deri në fund, pasi De Vraj do të largohet në verë me kosto zero, pasi klubi nuk ia rinovoi dot kontratën.

Megjithatë, vendin e parë ndër mrekullitë e shqiptarit e mban një serb. Sergej Milinkoviç-Saviç u hulumtua kur ishte te Genku në Belgjikë. Gjithsej, Lacio u detyrua të paguante 14 milionë euro për kartonin e sulmuesit, i cili tani kërkohet nga klubet më të mirë të Europës. Vlera e kartonit të tij pritet të jetë minimalisht 100 milionë euro, dhe maksimalisht 150 milionë, ndërsa është vetëm 22 vjeç.

Në të kaluarën pati edhe suksese të tjera, ku spikat Miroslav Kloze. Sulmuesi veteran gjerman, pasi e “shkriu” karrierën tek Bajerni, pritej të vinte tek Lacio për “pension”, por ndodhi ndryshe. Shënoi 63 gola në 171 ndeshje, duke qenë gjithnjë i rëndësishëm. “La Gazeta delo Sport” i kushtoi një shkrim dhe një sondazh drejtorit sportiv të Lacios, ku votuesit u ftuan të zgjidhnin blerjen e preferuar. E para doli ajo e Milinkoviç-Saviçit, e dyta e Kloses, ndërsa e treta e Strakoshës.

Sfidanti.al