“Një javë pushime”, (thuajse) mbaron aventura shqiptare në Europë!

Natyrisht, titulli duket pak i ekzagjeruar, pasi djersa u derdh në stërvitje dhe në fushën e stadiumeve. Gjithsesi, përfundimi ishte ky, aventura shqiptare në kupat e Europës zgjati normalisht 8 ditë, me përjashtim të Partizanit, i cili ndihmohet jo nga zotësia e tij, por nga rregulli i UEFA-s për ta lejuar të vazhdojë nga Championsi në Ligën e Europës.

Në 8 ndeshje, vetëm 1 fitore është vërtet shumë pak, ndërsa të merr malli për Skënderbeun e dënuar që arrinte në fazën e grupeve, dhe për Kukësin e dikurshëm e të harruar kur kalonte nga 2 apo 3 ture. “Me miell misri nuk bëhet bukë gruri”, – i thoshte dikur i madhi Myslym Alla, të deleguarit të Partisë, Manush Myftiu. “Me këtë Superligë nuk ke ku shkon më larg”, mund të thuhet sot, sipas refrenit të shprehjes popullore “ky stan, këtë bulmet ka”.

Me borxhe nga të katër anët në shtet e në privat, me premtime që nuk mund të mbahen, me numra llogarie të bllokuara, me Akademi për faqe të zezë, që është turp të mbajnë atë emër, me presidentë që shpesh bëjnë rolin e trajnerit, të drejtorit teknik, të gjahtarit të talenteve, dhe që u mbetet pa bërë vetëm roli i futbollistit, nuk mund të shkohet më larg.

Me një shtet që ecën sipas parimit “ti thua mendimin tënd, unë tund kokën time” (sipas emisionit të dashur në Radio Tirana të Jani Durit e Vangjel Kozmait), nuk mund të shkohet larg. Me ndihmën ndaj sponsorizimit për faqe të zezë, pa ndihmë për infrastrukturën, pa ndihmë tek tatimet, ky shtet është padyshim antisport, dhe qendron si nata me ditën me shtetin e dikurshëm të para vitit 1990.

Të vjen keq, kur arrin vetëm 1 fitore në 8 ndeshje ndaj kundërshtarëve që quhen Karabak, Debreceni, Hapoel Ber Sheva apo Ventspils, ndërsa para 1990-ës, skuadrat shqiptare kishin dinjitet ndaj Këlnit, Ajaksit, Austrisë së Vjenës, Malmoes, Sëlltikut, Aberdinit, Sportingut të Lisbonës, Dinamos së Bukureshtit, Partizanit të Beogradit apo Barcelonës.

Sfidanti.al