Murinjo ia del, nuk lejon Sitin të festojë titullin ndaj Junajtidit

E tha përpara ndeshjes se “nuk do të ishte fundi i botës edhe po të ndodhte, por mund t’iu siguroj se unë dua vetëm që të fitoj”. Këto ishin fjalët e Zhoze Murinjos para derbit të radhës në Premier Ligë. Mançester Siti pati “meç pointin” (match point) e parë për t’u shpallur kampion i Anglisë, por nuk ia doli duke humbur brenda në “Etihad” ndaj Mançester Junajtidit.

Pep Guardiola nuk mundi t’ia hidhte këtë herë armikut të tij të vjetër, pra Murinjos, skuadra e të cilit arriti një fitore të madhe, madje me përmbysje. Gjithçka u duk se po shkonte në drejtimin e duhur për vendasit, kur ata kryesuan deri në 2-0 me golat e shënuar në pjesën e parë nga kapiteni Vinsent Kompani dhe Ilkai Gyndogan.

Papritur skenari ndryshoi pas pushimit me Junajtidin që i bëri thirrje krenarisë së klubit të madh, që ishte fshehur diku thellë në mendjen e futbollistëve. Me siguri, që ishte ndonjë fjalim nga ata të Murinjos që i vuri në sedër yjet e tij, që ishin të papërmbajtur pas pushimit.

Pol Pogba, i kritikuari më i madh i Premier Ligës këtë sezon, shleu gjithçka duke shënuar dy gola, në minutat 53 e 55, ndërsa mbrojtësi Kris Smolling i dha fitoren “djajve të kuq” në të 69-ën. Junajtid forcoi pozitat në vendin e dytë me 71 pikë (ndonëse titulli është i pamundur), 13 pikë prapa Sitit.

Zhoze Murinjo e tregoi edhe një herë veten si një njeri me karakter tepër të fortë, edhe pse vazhdimisht antipatik. i vënë me shpatulla pas murit ia doli në momentin më të vështirë, edhe pse ai vetë dhe tifozët do të kishin dashur më mirë të kishin humbur derbin, por të kishin fituar ndaj Seviljes e të ishin ende në pretendime në Champions.

Murinjo mund të mos jetë “dashnor i futbollit të bukur”, por mbetet një fitues i madh dhe i aftë për ndeshje dramatike, edhe në sezonet kur e ka të vështirë të fitojë ndonëj titull.

Sfidanti.al