Mikel Janku, futbolli shqiptar “qan” personalitetin që më s’e ka!

Duhej të ishte vjeshtë e vitit 1995 apo 1996, dhe në stadiumin e Krujës, luante Kastrioti me Tiranën. Në një terren me baltë, dhe në një klimë të ashpër nga ato që “vendasit duhet të fitojnë me çdo kush”, nervat u acaruan aq shumë saqë deputeti i asaj kohe i PD-së në Krujë (nuk po ia përmend emrin), nisi të ofendonte lojtarin e tiranasve, Ardian Mema.

Papritur, nga vendi ku ishin vendosur gazetarët, u pa një njeri trupvogël që u ngrit vrikthi, dhe i bërtiti deputetit. “Si s’ke turp për fjalët që thua, ai është djali i Ali Memës”. Ky njeri ishte Mikel Janku, ish-portieri i kombëtares dhe i Partizanit, tashmë i kthyer në gazetar të “Sport Ekspresit”. Janku i doli në krah të drejtës, dhe djalit të ish-shokut të brezit të tij, Ali Memës, ndonëse kishin qenë kundërshtarë në derbin e asaj kohe.

Sot, futbolli shqiptar u nda prej Mikelit, njeriut që e nisi karrierën si aviator, por edhe si sportist, pasi në atë kohë kalitja fizike (sporti) dhe arti ushtarak ishin natyrshëm, shumë më të lidhur se sot. Në moshën 78-vjeçare ai ndërroi jetë pas një sëmundjeje, duke u shuar një nga personalitetet më të njohur e më korrektë të sportit në vendin tonë.

Portier i kombëtares për 9 ndeshje, jo pak për kohën, njeriu që u vu përballë Franc Bekenbauerit, Gerd Mylerit apo Xhorxh Bestit. Po ashtu, që fitoi tituj e kupa me Partizanin, dhe që u ndesh në Europë me Këlnin e Gjermanisë Perëndimore në Kupën e Kampionëve, me Torinon e Italisë në Kupën e Kupave, dhe me Norçepingun suedez, sa për të përmendur disa sfida.

Mikel Janku punoi në klubin Partizani, pasi la sportin, ndërsa në vitet 90-të e pastaj në vitet 2000, pati karrierën e dytë, si gazetar sportiv, një pasion që e plotësoi tek “Sport Ekspresi”, në dyshe me kryeredaktorin e njohur, Fatmir Mëneri. Sot ne nuk mund të bëjmë gjë tjetër, përveçse të mbajmë zi dhe të heshtim për njeriun dhe futbollistin e panjollë, ndërsa nuk duhet të shqetësohemi për kujtimin e tij, pasi Mikeli e ka zënë vendin e tij në histori.

Sfidanti.al