Liverpul, si do t’ia bësh këtë sezon pa kapitenin Xhordan Henderson!

Ka disa klube që janë goditur nga fati i keq dhe nuk po munden t’i shpëtojnë kësaj. Liverpuli, pak a shumë si Reali i Madridit, po përballet me kaq shumë mungesa nga dëmtimet saqë i është bërë lëmsh sezoni. Për fat të keq, ekipi i trajnerit Jurgen Klop luan në një ligë tepër të fortë si Premier Liga angleze, dhe e ndjen më shumë këtë problem, sesa Reali ku në La Liga zakonisht ka rivalë vetëm Barcelonën apo Atletikon.

Lajmet janë që kapiteni Xhordan Henderson mund të mungojë deri në 12 muaj për shkak të dëmtimit të pësuar në derbin ndaj Evertonit, që do të thotë se ai mund të mos luajë më tej këtë sezon, madje rrezikon edhe Kampionatin Europian me Anglinë. Liverpulit i mungojnë edhe shumë të tjerë si Van Dajk, Gomez, Matip, Fabinjo apo Zhota. Trajneri Klop ka qenë tepër i lodhur këto kohë, madje po thuhet se mendon të largohet nga Liverpuli.

Sfidanti.al