Kapelo shigjeton Milanin, lavdëron Sarrin, “dyshon” tek Ronaldo

Ka qenë trajner i të dyja skuadrave, duke fituar katër tituj me Milanin, dhe dy kampionate me Juventusin, që më pas nuk u njohën zyrtarisht. Fabio Kapelo, një trajner i madh, është në gjendje të flasë për supersfidën Juve-Milan (edhe pse sot nuk mund të quhet e tillë). Kapelo thekson se strategjia e marrjes së lojtarëve nga kuqezinjtë nuk ka qenë e mirë. “Vetëm Teo Hernandez dhe Leao janë lojtarë të denjë për Milanin, – u shpreh ai, – të tjerët nuk ma mbushin syrin. Klubi po vuan nga ndryshimet e pronarëve, nga padurimi me trajnerët, dhe padyshim kjo sjell probleme në marrjen e lojtarëve. Grupi Eliot po sheh në fillim bilancin financiar, por zgjedhjet për lojtarët nuk më bindin”.

Kapelo vlerëson trajnerin e Juventusit, Mauricio Sarri, që po tregohet i kujdesshëm. “Sarri tregoi në Moskë se di të jetë praktik dhe pragmatist, – tha ai, – ne e dimë se cila është filozofia e tij e lojës, por këta muaj po përpiqet të gjejë një kompromis mes ideve të tij dhe karakteristikave të lojtarëve. Nëse në Moskë do të kishte arritur të njëjtën fitore Alegri, ai do të ishte kritikuar. Unë i them Sarrit të lumtë”. Veterani i stolit vlerëson se Kristiano Ronaldo është në rënie. “Fizikisht nuk është si një vit më parë, ndaj edhe Sarri e zëvendësoi në Moskë, – tha ai, – në zonën e rreptësisë mbetet numri 1 në botë, por duhet menaxhuar mirë për shkak të moshës”. Kapelo, së fundmi, tha se De Ligti do të jetë një sukses, por do të duhet kohë.

Sfidanti.al