Flamurtari ose “Bukën e keni të sigurt, por nuk keni për ta ngrënë”!

Paratë i keni në bankë, nuk ua prek njeri. Ky ka qenë refreni i drejtuesve të Flamurtarit për futbollistët e skuadrës, pasi këta bojkotuan stërvitjen dy ditë më parë. Alarmi ishte i madh, dhe Ardi Behari me Shpëtim Duron u përpoqën të rregullonin situatën, ndërsa vlonjatët do të luajnë dy ndeshjet e fundit vendimtare të sezonit.

Drejtuesit u takuan për së dyti herë me lojtarët duke u bërë “be e rrufe” se nuk do t’u mungonte asnjë kokërr leku nga llogaria në fund fare, dhe se garancitë teknike janë të forta pasi i mbron kontrata që kanë nënshkruar. Futbollistëve, ama, nuk i spjegoi njeri se përse rrogat vonohen me muaj, ashtu siç ndodhi edhe herën e parë, kur u fol për probleme burokratike (?!). Flamurtari duhet të dijë se futbollistët nuk mbajnë familjen me bukë vetëm një herë në 5 muaj, ndërsa vetë futbollistët duhet të shohin mirë nëpër kontrata. Nëse ata bëjnë gabime, padyshim ndëshkohen, por kur drejtuesit vonojnë rrogën, a ka dënime për ta?

Gjithsesi, bojkotimi i stërvitjes nga ana e futbollistëve të Flamurtarit ka marrë fund. Lojtarët e skuadrës vlonjate kanë marrë pjesë në seancën e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro, por vetëm pasi kanë pasur një takim të gjatë me vetë trajnerin dhe me drejtues të klubit. Në takim nuk mori pjesë presidenti Idrizi i cili thuhet se nuk është në Vlorë.

Më të vështirë për t’u bindur kanë qenë lojtarët e huaj, por edhe ata përfundimisht janë stërvitur. Futbollistëve nuk u është sqaruar se përse u janë vonuar pagat, ndërsa ata pretendojnë se nuk paguhen që nga dhjetori i vitit të kaluar.

Sfidanti.al

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *