Çudit Lotar Mateus: Myler nuk ka vend tek Bajerni i Ançelotit!

Një kampion ndoshta edhe duhet dëgjuar. Padyshim, jo nga Tomas Myleri. Fjalët e Lotar Mateusit nuk parashikojnë asgjë të mirë për sulmuesin gjerman të Bajernit, i cili pritet të vazhdojë ta ketë të vështirë nën drejtimin e Karlo Ançelotit. Mateus, legjendë e vërtetë e Bajernit dhe kombëtares gjermane, u shpreh se Tomas Myler do ta ketë shumë të vështirë të gjejë vend në formacionin bazë të skuadrës së trajnerit italian, në gjysmën e dytë të sezonit.

“Ançeloti luan me skemën 4-2-3-1, – tha Mateus duke folur për revistën gjermane “Shport Bild” (Sport Bild), – dhe për Mylerin do të jetë e vështirë të gjejë vend në formacion. Bajerni luan me një sulmues të deklaruar që është Robert Levandovski, ndërsa nuk ka sulmues që ta mbështesë, por një mesfushor të përparuar. Unë shoh Tiago Alkantarën më të përshtatshëm në këtë rol pasi është më i shkathët, ndërsa në të djathtë alternativa më e mirë është Arjen Roben”.

Myler e pati shumë të vështirë me skemën e trajnerit italian edhe në gjysmën e parë të sezonit duke shënuar vetëm një gol në Bundesligë gjatë kësaj periudhe, diçka që as nuk mund të imagjinohej më parë nga një sulmues si ai. Kampioni i botës shpreson që gjendja të ndryshojë, ndërsa stërvitet me skuadrën në Doha të Katarit, në pritje të ndeshjes së parë të kampionatit, në fushën e Frajburgut në 20 janar. Ançeloti, nga ana e tij, nuk ka pranuar kurrë që ta kritikojë futbollistin e tij.