Tifozët e Arsenalit duhet të jenë nga më të çuditshmit në botë që kritikojnë lojtarin e tyre që u dha barazimin në minutën e dytë shtesë. Ata, në të vërtetë, nuk kanë asnjë faj. Olivie Zhiru priste lavdërime, por mori shigjetime për sjelljen e tij ndërsa kishte dërguar topin në rrjetën e Bornemuthit për barazimin heroik 3-3. Kur kishin mbetur vetëm 3 minuta shtesë për t’u luajtur, një skuadër që synon titullin duhet të nxitonte që loja të fillonte nga qendra dhe të kërkohej goli i fitores. Veçse, Zhiru kishte tjetër dëshirë, ai donte të festonte golin gjithsesi të rëndësishëm dhe humbi kohë duke bërë imitimin e “goditjes së akrepit”, pra të golit që shënoi disa ditë më parë ndaj Kristal Palasit.
“Ishte një budallallëk festimi i Zhirusë kur duheshin edhe pak minuta deri në fund”, ishte postimi i tifozit të mbiquajtur “ganerblog”. “Ndonëse e pëlqej shumë Zhirunë, festimi i tij ishte gjëja më idiote në futboll”, shkruajti Xhomani Oluadare, një tjetër tifoz. “Me pak minuta që kishin mbetur Gabriel dhe Zhiru shkuan në festonin golin e barazimit, ky nuk është pasion, është llastim”, komentoi tifozi i mbiquajtur “Sufiani”. “Zhiru na turpëroi me atë festim, – ishte komenti i “’drleje”-s, – i mungoi klasi. Olivie je lojtar profesionist, jo fëmijë”.
Edhe shokët e skuadrës mesa u pa, nuk mbetën të kënaqur. Fotot tregojnë Okslejd-Çembërlenin që i bënte thirrje Zhirusë të kthehej në mes të fushës, po ashtu Aleksis Sançez, Lukas Perez apo Naço Monreal. Siç shkruan media britanike, raporti i Zhirusë me tifozët nuk mund të jetë tjetër veçse “dashuri ose urrejtje”.
Sfidanti.al