Zinedin Zidan, 9 finale të fituara nga 9 të luajtura, si dhe 10 tituj!

“Kjo ka ndodhur sepse ky klub është i tillë”. Modestia nuk mund të ishte më e madhe nga trajneri i Realit të Madridit, kur iu kujtua rekordi i tij i finaleve. Zinedin Zidan, ai që e nisi karrierën si “çirak” pak vjet më parë, sot numëron 10 trofe. Jo vetëm kaq, por legjenda franceze ka fituar 9 nga 9 finalet e luajtura me Realin, ku padyshim veçohen 3 Champions, si dhe titujt në Superkupën e Europës, Superkupën e Spanjës dhe Kupën e Botës për klubet. Një tjetër Superkupë e Spanjës nuk bën aspak keq, përkundrazi. Gjithsesi, Zizu e ndau meritën me të tjerët. Pasi theksoi se është Reali që fiton finalet, ai falenderoi ndihmësit e tij. “Gjithnjë them se vërtet unë jam trajneri, por pas sukseseve ka gjithnjë shumë njerëz, – deklaroi Zidani, – Është një ekip i tërë njerëzish, që nga lojtarët, tek të tjerët që punojnë. Portieri Kurtua, p.sh. na dha Superkupën, por ai nuk punon me mua, por me Roberton (trajnerin e portierëve)”.

Sfidanti.al