Aguero thyen rekordet në Angli, por Guardiola adhuron vetëm Mesin!

Të parin kaloi Tieri Henrinë, duke u bërë lojtari i huaj me më shumë gola në Premier Ligë. Kun Aguero ka 177 rrjeta, ndaj 175 të francezit legjendar të Arsenalit, ndërsa ndaj Aston Vilës kaloi edhe një rekord të Alan Shirërit, duke pasur 12 tregolësha, më shumë se gjithë të tjerët në historinë e Premier Ligës. Me 177 goditje të sakta në portë, Aguero është baraz me Frenk Lampardin, si golshënuesi i katërt më i mirë në historinë e kampionatit anglez, në formatin e ri, ndërsa synimi është që të arrijë rekordin e Alan Shirërit, ndonëse nuk do të jetë aspak e lehtë.

Ish-sulmuesi i Njukasëllit ka 260 rrjeta në 441 ndeshje, ndërsa më përpara sulmuesi i Sitit duhet të kapë Endi Koulin (187 gola në 414 ndeshje) dhe Uejn Runin (208 gola në 491 ndeshje). Ai vetë ka rendimentin më të mirë, pasi 177 golat janë shënuar në 255 ndeshje. Gjithsesi, këto rekorde dhe këto arritje të Agueros nuk e kanë bërë Pep Guardiolën që të ndryshojë mendim. Trajneri i Sitit thotë se Lionel Mesi është “më i miri numër 10, numër 9, numër 8 apo numër 7 në botë, më i miri lojtar me të cilin ka punuar”.

Sfidanti.al