Shqiptarët “bombardojnë” Europën, 8 gola në Hungari, Holandë, Spanjë e Turqi!

Me të vërtetë ishin mbrëmjet e tyre. Sulmuesit shqiptarë shkëlqyen këtë fundjavë në Europë duke shënuar gola e duke qenë të rëndësishëm për ekipet e tyre. Myrto Uzuni, Armando Broja, Rej Manaj e Sokol Cikalleshi ishin autorë të rrjetave në vijim të një sezoni pozitiv.

Sulmuesi beratas ishte vendimtar pasi goli i tij i dha fitoren Ferencvaroshit në Superligën e Hungarisë. Uzuni shënoi në minutën e 56-të në suksesin minimal 1-0 në derbin e Budapestit ndaj Honvedit, dhe me këtë fitore “shqiponjat e blerta” ruajtën distancën me rivalët në krye të kampionatit. Uzuni ka 8 gola e 6 asistë, padyshim lojtari më i mirë i I Ferencvaroshit, që kryeson me 53 pikë ndaj 39 të Akademisë Pushkash.

Sulmuesi tjetër i kombëtares, Armando Broja, e tregoi veten në Superligën e Holandës, edhe pse ekipi i tij humbi. Lojtari 19-vjeçar, i huazuar nga Çelsi, kaloi Viteshen në avantazh në fushën e PSV Ajndhovenit, njërit prej 3 ekipeve më të mëdhenj të Holandës. Goli i tij nuk mjaftoi pasi Viteshe humbi 1-3, disfata e katërt radhazi në ligë, veçse Broja po zhvillon një sezon shumë të mirë në çdo drejtim. Ai ka 8 gola dhe 1 asist, diçka e rëndësishme sidomos për moshën e tij 19-vjeçare.

Nga dy gola për Rej Manajn në Spanjë dhe Sokol Cikalleshin në Turqi. Manaj realizoi me fanelën e Barcelonës B, në ligën e tretë spanjolle, ndërsa katalanasit fituan 6-0 ndaj Hospitaletit. Futbollisti 23-vjeçar ka 7 rrjeta në vetëm 12 ndeshje këtë edicion, dhe rëndësi ka që po luan rregullisht, diçka që do ta ndihmojë edhe në kombëtare. Cikalleshi, ndërkaq, shënoi dy gola në Superligën turke për Konjasporin, në fitoren 3-2 në fushën e Malatiasporit.

Sfidanti.al