Murinjo vazhdon “luftën civile” tek Junajtid, a do të fitojë?!

Shpesh herë fitorja ka qenë me të, por ndonjëherë është detyruar të dorëzohet siç i ndodhi tek Reali në fund, apo në ndonjë sezon tek Çelsi. Zhoze Murinjo vazhdon ta bëjë luftën e tij, dhe këtë po e bën madje publike tek Mançester Junajtidi. Ai u shpreh i pakënaqur nga lojtarët e tij për ndeshjen ndaj Brajtonit në Kupë, dhe thuajse foli me emra për gabimet e tyre.

“Jam i kënaqur me rezultatin, por jo me lojën, – tha ai, – vetëm pak lojtarë patën reagimin që prisja pas eleminimit nga Championsi. Unë rri e punoj dy ditë për shpejtësinë në sulm e në kundërsulm, por kjo nuk ndodh në fushë. Shpejtësia vjen nga loja e mbrojtësve, por edhe nga lëvizja e sulmuesve, por mbrojtësit tanë bënë pasime horizontale, ndërsa sulmuesit u fshehën”.

Besohet se Murinjo e ka pasur kritikën për mbrojtësit Shou e Smalling, por edhe për sulmuesit, ndoshta Marsial apo Lingard, apo ndoshta edhe Lukakun?! Lojtarët që ai veçoi për mirë ishin Nemanja Matiç dhe skocezi i ri, Mektominej, ndërsa la në stol për të mos u lodhur Pogbanë, De Gean dhe Sançezin. Junajtid fitoi 2-0 ndaj Brajtonit në “Old Traford”, me gola të Lukakut e Matiçit, dhe arriti në gjysmëfinale të Kupës së Anglisë.

Sfidanti.al