Klop: Ndaj Sitit duhet të jetë në 100 për qind edhe fëmijët pas porte!

Nëse Liverpuli dëshiron të fitojë sfidën gjigande të së dielës, dhe të shkëputet 9 pikë në krye të Premier Ligës, ai duhet të jetë në formën e jetës. Këtë paralajmërim bëri trajneri Jurgen Klop, duke folur përpara duelit me Mançester Sitin e Pep Guardiolës. “Duhet të luajmë ndeshjen tonë më të mirë, – tha gjermani, – çdokush në stadium duhet të jetë në maksimum. Edhe fëmijët që kapin topa pas porte, edhe djemtë që shesin hamburger duhet të jenë në 100 për qind. Ky është urimi im”.

Sezonin e kaluar, Siti u tregua i kujdesshëm në “Anfild”, në barazimin 0-0, dhe thuajse fitoi në fund kur shpërdoroi 11-metërshin. “Ndaj Sitit duhet të luash me trimëri dhe me zgjuarsi, – vazhdoi Klopi, – ndryshe nuk ia del dot, nuk merr dot as edhe një pikë. Nuk është puna thjesht të kesh fantazi dhe të sulmosh, duhet të jesh i përsosur në çdo pikë, të jesh pozicional në perfeksion, të mbrosh mirë. Do të jetë një ndeshje shumë e ndërlikuar”. Liverpuli kryeson renditjen e Premier Ligës me 6 pikë më shumë se Mançester Siti.

Sfidanti.al