Tirana, në krizë për stolin në prag të derbit, a thua rikthehet Ard Mema?!

E vetmja gjë e sigurt është që trajneri Ahmataj është larguar. Asgjë tjetër nuk është e përcaktuar tek Tirana, ndërsa duhen vetëm pak ditë deri në derbin me Partizanin. Presidenti Halili po bën bisedime të ethshme lidhur me trajnerin e ri, ka disa pista, por asnjëra prej tyre nuk është e konfirmuar. Burime në klub bëjnë me dijë se është arritur deri aty sa t’i kërkohet ish-teknikut Ardian Mema që të rikthehet në detyrë. Ky i fundit ende nuk ka vendosur, por burime pranë tij thonë se po mendohet për ftesën e presidentit.

Përveç emrave të përmendur këto ditë si Gugash Magani, Bledar Devolli dhe Skënder Gega, tek Tirana po diskutojnë edhe për mundësinë e caktimit të një trajneri të huaj. Për momentin, skuadra po drejtohet nga trajneri i portierëve, Emanuel Egbo, një njeri që e njeh mirë ambientin bardheblu, pasi ka qenë aty me ndërprerje për 18 vjet. Me gjasë, Egbo mund të ketë drejtimin e skuadrës në derbin që pritet të luhet këtë të premte në “Arenën Kombëtare”, në pritje të zgjidhjes përfundimtare të çështjes së stolit.

Sfidanti.al