Policia blindon Elbasanin… po vijnë sërish serbët?

Në çdo rast që ka ndonjë ndeshje të rëndësishme kampionati, për ta rritur artificialisht “spektaklin”, merren masa ekstreme sigurie. Gjithmonë ndodh e njëjta gjë, që më pas reklamohet nëpërmjet ekraneve televizive, për të krijuar përshtypjen se këtë rradhë kemi të bëjmë me një ngjarje të jashtëzakonshme. Kështu ishte pragu i ndeshjes Partizani – Tirana, ku për të parandaluar një “luftë” të mundshme midis tifozerive, u menduan edhe masa qesharake. Të gjithë të interesuarit për atë 90 minutësh do të niseshin nga Tirana për në “Elbasan Arena”, por një palë duhet të udhëtonte nga rruga e zakonshme dhe tjetra nga Rrogozhina. Në fund u zhvillua një ndeshje normale, që teknikisht nuk u ngjit as mbi nivelin mesatar, dhe pas përfundimit, të gjithë u nisën të qetë drejt shtëpive të tyre.

Ndërkohë, që për takimin që luhet sot po në të njëjtin stadium, atë midis Partizanit dhe Skënderbeut, nëpërmjet një komunikate, policia bëri me dije se do të bllokohet lëvizja normale në akse rrugore të qytetit, nuk do të lejohet parkimi rreth stadiumit dhe për të garantuar mbarëvatjen e ndeshjes do të angazhohen 265 policë. Dhe për çudi, pavarësisht masave ekstreme, ku të lejohet t’i futësh njerëzve duart në xhepa në mes të rrugës, stadiumet e kontrolluara në imtësi përsëri mbushen me flakadanë dhe gjithçka tjetër që nuk lejohet në duart e tifozëve, ndërsa në fund dënohen gjithmonë klubet nga FSHF-ja, me të njëjtin motivacionin: “Për mosmarrje të masave, për mbarrëvajtjen e ndeshjes”, ose tifozët e të dy skuadrave “për hedhjen në fushë të mjeteve pirroteknike”.