Partizani si partizanët, fitore tregolëshe në Laç për Europën!

Thirrja “përpara partizanë” nuk u dëgjua në stadiumin e Laçit, por sulmi “për jetë a vdekje” u krye. Partizani i Klevis Dalipit u tregua tamam “partizan” duke arritur një fitore të thellë në Kurbin, dhe shifrat 3-0 flasin më shumë sesa thjesht 3 pikët e marra.

Rrjetat e shënuara në pjesën e dytë nga Kardozo, Abdurrahimi dhe Progni bënë që kryeqytetasit të fitonin ndeshjen ndaj rivalëve për Europën dhe të ngjiteshin të vetëm në vendin e tretë të renditjes së Superligës. Ishte fitorja e katërt në pesë takimet e fundit dhe të kuqtë mbërritën në 45 pikë, ndaj 42 të Laçit, ndërsa Kukësi mbetet i shkëputur në vend të dytë, duke pasur 51 pikë pas fitores në Kamzë.

“Kura Dalipi”, apo edhe më shumë “kura Olsi Rama” po bëjnë të vetën për 18 herë kampionët, që me dënimin e pritshëm të Skënderbeut, e shohin veten në zonën që i kualifikon për në Ligën e Europës. Jo vetëm kaq, por pretendimet e tyre janë edhe për Championsin.

Gjithsesi, në Champions për momentin është ekipi kampion i vendit. Kuksianët patën jo fat për stërfat në fushën e kamzalinjve, por arritën fitoren. Vendasit goditën dy herë shtyllat dhe krijuan shumë raste, ndërsa kampionët patën shumë pak mundësi, por shënuan golin. Kjo ndodhi që në minutën e 6-të, kur braziliani Kale dërgoi topin në rrjetë për ekipin e trajnerit Peter Pakult.

Sfidanti.al