Partizani ia del me Luftëtarin edhe kur i prish punë tifozi i tij!

Nganjëherë dashuria më e madhe sa duhet prish punë. Këtë e kuptoi shumë mirë një tifoz i Partizanit që hyri në fushë gjatë ndeshjes me Luftëtarin, duke e bërë të pavlefshëm një gol të shënuar nga mesfushori Trashi. Tifozi, që u largua më pas nga rojet e sigurisë, hyri në terren pikërisht me fanelën e Trashit në duar, por me siguri që më vonë u pendua. Diçka e rrallë, por ja që futbolli ka edhe emocione të tilla.

Sidoqoftë, ai tifoz të paktën nuk mbeti i dëshpëruar gjatë dhe shkoi i kënaqur në shtëpi ashtu si edhe të tjerët, pasi ekipi i tij fitoi. Partizani, tashmë pa trajnerin Starova, por me trajner Dalipin, ishte me të vërtetë i rilindur, dhe arriti të dominonte një nga ekipet më të mirë të Superligës. Luftëtari nuk u pa shumë në stadiumin “Selman Stërmasi”, ku vendasit shënuan 3 gola pa pësuar asnjë. Kapiteni Idriz Batha ishte autor i dy prej tyre, ndërsa një herë realizoi Gerhard Progni, pas gabimit të vetë gjirokastritëve.

Një kënaqësi më shumë për tifozët ishte rikthimi në fushë i Edgar Çanit. Ish-sulmuesi i kombëtares nuk luante prej muajsh për shkak dëmtimi, por trajneri Dalipi e aktivizoi menjëherë kur iu dha rasti, ndërsa Çani pati edhe rol në fitore. Ai fitoi penalltinë që më pas u kthye në gol nga Batha. Partizani u ngjit në kuotën e 35 pikëve, vetëm një pikë më poshtë se vendi i tretë që të kualifikon për në Ligën e Europës.

Natyrisht, këtë sezon, e vetmja luftë që mund të bëhet është për kupat kontinentale, pasi titullin kampion e ka të sigurt Skënderbeu. Skuadra e trajnerit Ilir Daja arriti një tjetër fitore, këtë herë 3-1 në Korçë ndaj Lushnjes, duke mos u lodhur më shumë sesa duhet. Ali Soue, Bruno Dita e Xhejms ishin autorët e golave, ndërsa veterani Sefa realizoi një herë për lushnjarët që praktikisht kanë rënë nga Superliga.

Sfidanti.al