Dramë në Flamurtari-Partizani, penalltia ngjit Flamurtarin dhe “ul” Starovën!

Askush nuk është ankuar për arbitrat më shumë, dhe me të drejtë. Gjithsesi, në Vlorë ishin gati ta përqafonin qoftë për një herë të vetme gjyqtarin Enea Jorgji, pasi akordoi 11-metërshin që vendosi një supersfidë të Superligës si ajo Flamurtari-Partizani. Një prekje e topit me dorë në zonën e rreptësisë nga një mbrojtës mik u desh pak kohë që të konsiderohej penallti, por u dha.

Protestat ishin të ashpra nga ana e Partizanit, sidomos nga trajneri Sulejman Starova. Pasi u përplas fillimisht me gjyqtarin e katërt, ai u tregua i ashpër përtej limitit me vetë Jorgjin dhe si përgjigje mori kartonin e kuq. Besohet se Starova nuk pati aq të drejtë, pasi ekipi i tij u fal vetëm disa minuta më parë për një tjetër prekje të topit me dorë në zonë, që nuk u ndëshkua në mënyrë kapitale.

Drama në stadiumin “Flamurtari”, sidoqoftë nuk përfundoi aq shpejt, pasi portieri Hoxha e priti gjuajtjen e kroatit Bushiç, por ishte vetë sulmuesi që e dërgoi topin në rrjetë. Një me zero, që do të thotë 7 pikë diferencë mes dy ekipeve, në favor të vlonjatëve, dhe me Flamurtarin që tani është vetëm 6 pikë prapa Skënderbeut, pra me shanse për titullin.

Me përjashtim të minutave të fundit, ndeshja në Vlorë nuk ishte aq entuziazmuese. Të dyja skuadrat u ruajtën shumë që të mos pësonin gol dhe të mos humbisnin, ndaj edhe rastet ishin me pikatore. Më shumë këmbënguli Flamurtari, ndoshta edhe sepse ishte në fushën e tij, por pa bindur plotësisht. Megjithatë, fitorja u arrit dhe Superliga u bë më interesante pas javës së 17-të.

Sfidanti.al