Derbi është i Partizanit, një shkodran i jep shpresë ndaj … Vllaznisë!

E kotë të bëje parashikime dhe e kotë të kuptojë ndonjë gjë gjatë ndeshjes sesi do të përfundonte ajo. Derbi është gjithnjë derbi, dhe i tillë ishte edhe pse u luajt në “Elbasan Arena”. Gjithsesi, kur 90 minutat e kohës së rregullt përfunduan, bashkë me shtesat e dhëna për vonesa loje, detajet që bënë dallimin ia dhanë fitoren Partizanit. Një sukses që shikon shumë, për këdo që e merr, aq më shumë për të kuqtë që kishin më shumë se një vit që nuk po ngrinin kokë. Jo vetëm kaq, por ishin “dy gëzime në një ditë”, sepse tripikëshi u sigurua nga goli i një lojtari që sapo ishte kthyer nga dënimi.

I dalë nga “qelia”, Eraldo Çinari u aktivizua në minutën e 78-të dhe vendosi “veton” vetëm pas 5 minutave. i njëjti lojtar që kishte shënuar dy herë në fitoren 2-1 të të kuqve të Skënder Gegës pranë fundit të sezonit 2018-2019, kur Partizani fitoi titullin pas 26 vjetësh. Një shkodran mund Tiranën dhe i jep shpresë ekipit të trajnerit Ilir Daja për të mbërritur pikërisht Vllazninë, ndërsa diferenca është 9 pikë.

Tirana e nisi më mirë ndeshjen dhe rrezikoi me Taulant Seferin që luajti për herë të parë si titullar, por Partizani u përgjigj me një rast të shkëlqyer të Asanit, por edhe të Melos. Në 36’, Tirana mund të kishte kaluar në epërsi me Seferin, por sulmuesi i kombëtares që shmangu edhe portierin Hoxha, nuk e futi dot topin në rrjetë. Partizani pretendoi për penallti, diçka që gjyqtari nuk e konsideroi, ndërsa u kujtuan pretendimet e Tiranës në derbin e fazës së parë për dy raste 11-metërshash.

Pas pushimit të dyja skuadrat krijuan raste, fillimisht me Seferin (Tirana), Solomon (Partizani, rast shumë i pastër), Melo (Partizani), ndërsa golin e shënuan të kuqtë në të 83-të. Në tërësi, pas pushimit Partizani u duk më i qartë. Dy ekipet e mbyllën ndeshjen me nga 10 lojtarë sepse Bardhi (Partizani) dhe Batha (Tirana) dolën me të kuq, përkatësisht në 52’ e 56’.

Partizani: Hoxha, Belica, Bitri, Hakaj, Murataj, Mala, Broja, Melo (Cara 68’), Bardhi, Asani, Solomon (Stenio Zhunior 68’). Tr. Daja

Tirana: Bekaj, Toshevski, Hoxhallari (Sasraku 87’), Najdovski, Batha, Halili (Kuka 69’), Toli, Ismajlgeci, Torasa, Muçi, Seferi (Danso 68’). Tr. Dede.

Sfidanti.al