Juvja kënaq Sarrin dhe pse jo plotësisht tifozët, CR7 me “pikatore”!

Kur nuk ke në fushë yllin kryesor, gjithnjë bëhet më e vështirë. Edhe kur ndeshja është ndaj një skuadre relativisht modeste si Bresha, sërish nuk është e lehtë, edhe pse quhesh Juventus dhe ndeshjen e Serisë A e luan në fushën tënde. U desh kartoni i kuq për një lojtar mik, u përjashtua Aje, dhe kampionët e Italisë luajtën në epërsi numerike. Paulo Dibala tregoi klasin e tij në mungesë të Kristiano Ronaldos, që u la që të pushonte, dhe skuadra e Mauricio Sarrit e vuri duelin nën kontroll.

Sari, gjithsesi, ishte i qetë, dhe i tillë ka qenë edhe kur ekipi nuk ka fituar, duke përballuar presionin. “Ndaj Breshës luajtëm mirë, bëmë atë që duhej të bënim, – tha ai, – ishim keq vetëm për 10 minuta. Goditëm 3 herë shtyllën, shënuam dy gola, nuk mendoj se ishim keq. Më vjen mirë për Kielinin, dhe mund të thuhet se ai hyri vetë në fushë. Kërkoi me patjetër të luante dhe m’u bë qejfi, por nuk e di nëse do të mund të luajë ndaj Lionit. Ka nevojë për minuta në këmbë”.

Juvja U ndihmuan edhe nga fakti që portieri titullar i Breshës, Alfonso, doli nga loja me dëmtim, dhe në vend të tij luajti debutuesi Andrenaçi. Pas pushimit, fitorja u sigurua nga goli i dytë shënuar nga Kuadrado, dhe Juventusi mori tri pikë të rëndësishme që e lejojnë të mbetet në vendin e parë të renditjes, pavarësisht nga rezultatet e ndeshjeve të tjera, duke pasur tani 57 pikë.

Padyshim, tifozët nuk është se u kënaqën shumë me lojën, pasi nuk ishte futbolli i shpejtë që kërkon trajneri Sarri. Për më tepër, njëri nga mesfushorët e rëndësishëm, Miralem Pjaniç, u dëmtua dhe kjo prish jo pak punë. “Mire ka një problem në kofshë, dhe do ta shikojnë mjekët, por nuk më duket se është dëmtim shumë i rëndë, shpresojmë me pak, – tha Sarri, – sa për Ronaldon, folëm me mjekët dhe me lojtarin dhe vendosëm që të pushonte. Ishte më e drejtë. Edhe Kristiano nuk mund të luajë 75 ndeshje në vit, me Juven dhe kombëtaren”.

Sfidanti.al