Flamurtari pretendent, një përrallë për vlonjatët

Flamurtari është në krizë të thellë, ndërkohë që duket se presidentit Idrizi i ka dalë skuadra jashtë kontrollit. Largimi i trajnerit Magani, gjë që tani është më pranë se kurrë, do të ishte një goditje e madhe për klubin, pasi ka tendenca që të kthejë në krahun e kundërt edhe tifozët. Pra në këtë rast hallet shtohen ndjeshëm, duke pasur parasysh që pasivitetit të futbollistëve në fushë mund t’i shtohen edhe vërshëllimat e tifozëve. Në të njëjtën kohë, nga Vlora vijnë edhe deklarata kontradiktore, sepse në një kohë që presidenti deklaron se e ka më të thjeshtë ta shkrijë ekipin, sesa të lejojë largimin e Maganit, serviren edhe kandidatura konkrete për ta zëvendësuar. Ndërsa vetë Idrizi drejtohet publikisht me qetësi të humbur: “Kush di të drejtojë më mirë se unë, le të vijë të më zëvendësojë”… Po të ishte konceptuar si pyetje do të ishte retorike, pasi në këtë rast nuk është e nevojshme të kesh shumë talent në fushën e drejtimit, thjeshtë duhet të paguhen detyrimet e prapambetura financiare të futbollistëve, për t’i bërë ata të lëvizin normalisht këmbët e tyre. Shkrirja e ekipit dhe rindërtimi i skuadrës nga e para, në kohë të përshtatshme ose jo, është kthyer në një proçedurë normale në Vlorë, duke përfshirë edhe zëvendësimin e trajnerit të fushës me një tjetër. E keqja është, se për pak ditë vjen një transfertë e vështirë në Laç, ndërkohë që deri në fund të muajit, Flamurtari mund të penalizohet me heqje pikësh, gjë që do ta detyronte të kishte shenjën minus përpara një numri në tabelën e klasifikimit. Dhe në këtë rast nuk është më çeshtje e rëndësishme, nëse Magani do të qëndrojë, apo do do të zëvendësohet.