Dinamo, persekutimi vazhdon… FSHF i merr edhe tifozët

Pasi e larguan me dhunë nga shtëpia që u ndërtua për të, si dhe e kanë detyruar të stërvitet që pa gdhirë në një nga fushat e kompleksit që tashmë ia kanë bërë dhuratë FSHF-së, Dinamos i kanë marrë përfundimisht edhe tifozët. Sipas një vendimi të fundit të drejtuesve të futbollit, të gjitha ndeshjet e këtij sezoni, që skuadra kryeqyetase do t’i luajë në “shtëpinë” e re në Pezë-Helmës do të zhvillohen me dyer të mbyllura. Dhe ky është një rast unik, që një tifozeri e tërë dënohet pa bërë asgjë të palejueshme. Eshtë policia e shtetit që nuk merr më përsipër mbërëvajtjen e ndeshjeve në kompleksin “Internacional” me praninë e tifozëve, pasi për t’u ngjitur në tribunën e vetme, ata duhet të kalojnë nga koridori ku dalin edhe futbollistët. Ndërsa Federata ka gjetur zgjidhjen më të shpejtë të mundshme, ka vendosur ta ndajë skuadrën me tifozerinë, e cila ka qenë gjithmonë një nga më “fair play”, që nga dita e themelimit të klubit.

Por nuk është kjo e gjitha, pasi ironia e institucionit që drejton futbollin në vend vazhdon. Klubit Dinamo i është kërkuar që deri në fund të kësaj jave ta gjejë vetë një tjetër ambjent për të luajtur, por që njëkohësisht të plotësojë kushtet e liçensimit, në të kundërt do të hyjë në fuqi menjëherë sanksioni ekstrem. Dhe meqenëse mundësitë financiare të tanishme të 18 herë kampionëve të vendit, 13 herë fituesve të Kupës së Shqipërisë dhe 2 Superkupave janë shumë të limituara, që nga dita e sotme kur do të presin Erzenin e Shijakut, do të jenë të privuar edhe nga mbështetja e fanatikëve që u kanë mbetur nëpër shkallë. Nuk dihet arsyeja ekzakte, por Dinamos së dikurshme jo vetëm që i ka humbur fare shkëlqimi, por vazhdojnë ta gërryejnë nga brënda dhe ka shumë gjasa që shumë shpejtë t’i mbeten vetëm rënojat. Një ambjent ku u rritën legjenda, tashmë është kthyer në një objekt persekutimi sistematik dhe çuditërisht, një simboli të futbollit shqiptar, tashmë duan t’i shuajnë edhe emrin.