Çmenduria e Barçës, jep rroga si askush tjetër në botë!

 

Vetëm një vit më parë nuk ishte kaq lart, por gjithçka tashmë është ndryshe. Barcelona është ngjitur në krye të renditjes së klubeve sportive për mesataren e rrogave në një sezon. Katalanasit japin mesatarisht rreth 12 milionë euro për çdo lojtar në një edicion, duke lënë në vend të dytë Realin e Madridit, me rreth 9 milionë euro. Në vend të tretë është klubi i NBA-së, Oklahoma Thandër, ndërsa në 12 të parët, plot 8 janë të NBA-së. Futbolli ka në 12-she edhe Juventusin e Mançester Junajtidin.

Çfarë ndodhi me Barçën? Kontrata e re e Mesit dhe rinovimet e disa prej lojtarëve kryesorë janë arsyet, po ashtu edhe afrimi i Kutinjos dhe Dembelesë. Për çudi, Paris SG dhe Mançester Siti, të vlerësuar si klubet që bëjnë më shumë shpenzime, kur vjen puna tek rrogat, janë më poshtë Atletikos së Madridit.

Gjithsesi, nga ligat sportive, ajo që paguan më shumë është NBA-ja, pra basketbolli amerikan, me mbi 6.5 milionë euro rrogë në sezon mesatarisht për çdo lojtar. Premier Liga angleze është në vend të katërt në këtë renditje, ndërsa La Liga vetëm e 7-ta, me mesatare pagash prej 2.5 milionë eurosh. Problem në Spanjë është pabarazia mes Barçës e Realit dhe pjesës tjetër.

Sfidanti.al