Biletat për Kosovë – Çeki, gati 2 milionë kërkesa në 15 minuta… shpërthen tregu i zi

Federeta te Futbollit të Kosovës ka njoftuar se interesimi për bileta në prag të ndeshjes Kosovë – Çeki ka qenë i jashtëzakonshëm. Lajmin e ka konfirmuar edhe presidenti i FFK-së, Agim Ademi, që ka thënë se si rezultat i kërkesave të shumta ka pasur probleme me sistemin online të biletave. Ademi ka bërë të ditur se për vetëm 15 minuta pas daljes së biletave në shitje, në platformën “tiks.app” janë bërë gati dy milionë klikime. “Brenda 15 minutave, 1 milionë e 800 mijë klikime janë bërë në sistem për të blerë bileta online. Ka pasur probleme me sistem, dhe kjo ka ardhur edhe si rezultat i kërkesave të shumta, por edhe për shkak të një problemi të një kablli interneti. Si do që të jetë, të gjitha biletat janë shitur brenda dy orëve. Kjo është diçka e jashtëzakonshme. Ky interesim i madh i popullit, po vjen si rezultat i lojërave të mira që po bëjnë djemtë në fushë dhe ne jemi krenarë me ta”, ka thënë Ademi për KTV-në. Ndërkohë që nuk kanë munguar kritikat e forta për mënyrën se si janë shitur biletat e ndeshjes, pasi tashmë raportohet se në tregun e zi, për ta parë këtë ndeshje në stadiumin Fadil Vokrri, çmimi i biletave fillon nga 50 euro.