Anglia në kaos me kombëtaren e femrave, akuza racizmi dhe korrupsioni!

Edhe vendi më i vjetër i kësaj lloj demokracie nuk qenka kaq i kulluar. Futbolli anglez është tronditur pas atij që pritet të jetë një skandal i madh në kombëtaren e femrave. Trajneri Mark Sampson u shkarkua dje nga Federata, pas një hetimi lidhur me sjelljen e tij me vajzat futbolliste kur ishte tek Akademia e Bristolit. Sampson u akuzua që në 2014-ën nga ish-lojtarja e Anglisë, Eni Aluko, për sjellje raciste dhe të dhunshme ndaj saj dhe ndaj futbollisteve të tjera, por skandali u bë i madh kur u njoftua se Federata i dha Alukos 80 000 paund stërlina që ajo të mbyllte gojën.

Pas Alukos, edhe lojtare të tjera treguan se Sampson përdorte metoda kërcënuese ndaj vajzave që ngrinin shqetësime ndaj tij. Madje, Keti Çapman e akuzoi trajnerin se “më la jashtë ekipit ku i tregova se isha divorcuar me tim shoq”. Aluko rrëfeu se Sampson i kishte thënë të sigurohej se të afërmit e saj nuk do të sillnin sëmundjen e Ebolës në “Uembli” të Londrës, kur të vinin për të parë një ndeshje. Shefi ekzekutiv i Federatës Angleze, Martin Glen u detyrua të pranonte se “ndihem fajtor që nuk u mbështetëm në hetimin ndaj trajnerit që në vitin 2015”.

Sfidanti.al