Telenovela Nejmar vazhdon; braziliani sakrifikon pagën për t’u kthyer te Barça

Nejmar është gati të bëjë gjithcka për t’u kthyer te Barcelona. Sipas asaj që publikohet te e përditshmja ‘El Mundo Deportivo’, sulmuesi i Paris Sën Zhermen është gati të pranojë një reduktim të ndjeshëm të pagës për të veshur sërish fanelën blaugrana.
Aktualisht, Nejmar përfiton nga kontrata me klubin parizien një pagë prej 36 milionë Eurosh, ndërsa Barcelona ka ndërmend t’i akordojë deri në 22 milionë, që është e njëjta shifër që futbollisti siguronte përpara se të largohej nga Barcelona në verën e vitit 2017. Kjo do të thotë se Nejmar pranon të përfitojë 14 milionë Euro më pak për të luajtur sërish në Camp Nou.

Gjithnjë sipas ‘El Mundo Deportivo’, Nejmar është gati të bëjë këtë sakrificë sepse dëshiron të argëtohet sërish në fushën e lojës dhe të harrojë përfundimisht problemet e shumta që iu krijuan në Francë, përfshi këtu edhe raportet e vështira me shokët e tij të skuadrës. Në fakt gjatë 2 sezoneve në Paris, mes Nejmarit dhe klubit nuk shpërtheu kurrë ndjenja e ngrohtë, ndërkohë që në sezonin e kaluar, Nejmar u përmend në media më shumë për problemet jashtë futbollit dhe dëmtimet sesa për paraqitjet e tij në fushën e lojës.

Ndërkaq e përditshmja tjetër katalanase ‘Sport’ flet për optimizmin e Nejmar për mbylljen me sukses të operacionit të kthimit të tij në Barcelonë. Në faqen e saj të parë kjo e përditshme publikoi një mesazh tnë ëhatsapp të brazilianit drejtuar lojtarëve të Barcelonës teksa u shkruante:’ Rrini të qetë, do të vij’

Tani ajo që duhet bërë dhe që është më e rëndësishmja, është gjetja e akordit me Paris Sën Zhermen që në të vërtetë nuk ka ndërmend ta largojë Nejmarin me cmim të lirë duke qenë se pagoi 222 milionë Euro për t’ia rrëmbyer Barcelonës. Në Katalonjë ndërkaq, po studiojnë ofertën e duhur për t’ia propozuar presidentit të PSG dhe sipas zërave të shfaqura, barcelona është gati t’i ofrojë klubit kampion të Francës 100 milionë Euro dhe kartonin e Umtiti, Rakitic e Dembele

sfidanti.al