Të rinjtë e Shkëndijës – marrin fronin kampionë të Maqedonisë

Ekipi i të rinjve të Shkëndijes së Tetovës (U-19), edhe praktikisht, u kurrorëzua si kampion i ri i Maqedonisë për të rinjtë, pasi, në ndeshjen e parafundit, mundi 0-3, pra, jashtë fushës së vet, ekipin e Akademisë Pandev, duke rrëzuar nga “froni” Vardarin titullmbajtës të Shkupit, të cilin të rinjtë tetovarë e kishin mposhtur një ndeshje më parë.

Tani, duke u shpallur kampione për të rinj të Maqedonisë, Shkëndija e Tetovës ka mundësi që të marrë pjesë në ndeshjet kualifikuese të Ligës së Kampioneve për të rinjtë. Kjo do të varet nga UEFA, e cila, mbi bazën e ranglistës së saj, përcakton se cili ekipi do të marrë pjesë në konkurrimin më elitar. Sezonin e kaluar, Maqedoninë e përfaqësoi Vardari i Shkupit që u eliminua që në raundin e parë nga Salcburgu austriak që, më vonë, u bë edhe kampion i Evropës për të rinj (U-19).

Sfidanti.al