Stouns dhe Foden, edhe Guardiola ndodh që e humb qetësinë!

Në rastin e parë u tërbua fare, ndërsa në të dytin ishte shumë më i qetë. Pep Guardiola pati një mbrëmje të tensionuar në “Etihad”, ndërsa Siti fitoi 5-1 ndaj Atalantës, dhe duket se streset e sezonit kanë nisur të ndikojnë që tani. Trajneri i “Qytetarëve” u acarua në kulm me vonesën e mbrojtësit të qendrës, Xhon Stouns, i cili nuk u bë gati kur duhej për të hyrë në lojë si zëvendësues.

Kamerat e fiksuan mirë katalanasit duke bërtitur, e duke bërë gjeste me krahë e me trup, në formë qortimi të ashpër për Stounsin, që dukej si ndonjë gjumash. Ai duhej të zëvendësonte Rodrin e dëmtuar, dhe Guardiola me gjasë ishte tepër i shqetësuar për krizën në qendër të mbrojtjes. Pep ishte mjaft më i qetë pasi Fil Foden mori karton të kuq dhe u përjashtua nga loja. “Unë gjobis lojtarët vetëm kur bëjnë ndonjë budallallëk, jo për kartonë të kuq, – tha ai, i pyetur më pas, – gjithsesi, Fil duhet të mësojë nga situata të tilla dhe të mos i ndodhin më”.

Sfidanti.al