Skocezi provokon Anglinë: Edhe tifozët tuaj duan që të humbni!

Është mirë kur nuk ndjek ndonjëherë mediat. Ndoshta, shpesh herë! Ashtu si fitorja e Trampit në Amerikë tregoi se sondazhet janë për t’u hedhur në kosh, edhe fjalët e lojtarit të Skocisë, Robert Snodgras, zbulojnë një realitet tjetër që nuk e sheh në mediat britanike. Futbollisti që luan në Premier Ligë u shpreh me shumë sinqeritet, në prag të sfidës në “Uembli”, se “çdo skocez, kudo që ndodhet, dëshiron ta shohë Anglinë të humbasë”.
“Ndershmërisht mendoj se gjithë kombi unë mendon kështu, – vazhdoi ai, – kështu jemi rritur. Unë madje flas edhe me anglezët dhe vetë ata nuk duan që skuadra e tyre të fitojë. Kështu ka qenë gjithnjë”. Mediat britanike natyrisht kanë reaguar ndaj provokimit, ndonëse jo me shumë ashpërsi. Ndeshja luhet të premten në “Uembli” dhe është përballja më e vjetër e botës. Snodgras pranon se ka një ndryshim mentaliteti mes skocezëve, që duan ta shohin ekipin e tyre në fazën finale, dhe anglezëve, që duan fitoren e Kupës së Botës, ndonëse kjo gjë ka 50 vjet që nuk ndodh.
B. Kuka