Xhampaolo, “oficeri i vogël i perandorisë” që dëshiron të shpëtojë Milanin!

Pas Torinos e derbit, ja ku erdhi edhe nokdauni i tretë. Milani u mund bindshëm në Serinë A edhe nga Fiorentina, duke hyrë në një krizë të thellë, së cilës nuk i dihet fundi. Mund të thuhet se ishte një dorëzim i plotë në “San Siro”, në prani të dhjetëra mijë tifozëve që deshën të mbështesnin skuadrën, dhe që u larguan pranë fundit, kur gjithçka u bë e qartë.

Të dorëzuar lojtarët, por ashtu u duk edhe trajneri Marko Xhampaolo, ai që u mor në verë si njeriu që do të sillte epokën e re të madhe në klub. Erik Pulgar me penallti, Gaetano Kastrovili dhe Frank Riberi bënë që rezultati të shkonte në 3-0, përpara sesa Rafael Leao të shkurtonte shifrat në minutat e fundit. Leao ishte nota e vetme pozitive për Milanin, që zbret në vendin e 16-të në Serinë A pas kësaj disfate.

Çfarë do të ndodhë me Xhampaolon? Drejtuesit e lartë, Maldini e Boban, vazhduan të shprehnin besimin për teknikun 52-vjeçar, ndonëse ish-mbrojtësi legjendar nuk harroi të theksonte se njeriu i stolit duhet të bënte kthesën sa më shpejt. Më të drejtpërdrejtë tifozët, të cilët votuan me shumicë dërrmuese për shkarkimin e Xhampaolos, në sondazhin e organizuar nga “La Gazeta delo Sport”.

Në Itali po flitet që tani për pasardhësit e mundshëm si Klaudio Ranieri, Rudi Garsia, Masimiliano Alegri, madje edhe Arsen Venger e Luçiano Spaleti, ndonëse klubi ka konfirmuar teknikun. Emri i fundit i dalë në skenë është ai i Andrij Shevçenkos, ish-legjendës milaniste nga Ukraina.

Të ashpra kritikat e mediave kryesore sportive. “Zero Milan, – shkruan “La Gazeta delo Sporti”, – rrënim dhe humbja e tretë radhazi. Tifozët largohen, po Xhampaolo?” “Dënimin përfundimtar e jep Riberi, – ishte titulli i “Il Korriere delo Sportit”, – Xhampaolo i bërë copë, është në prag të rrëzimit”!

“Unë do të vazhdoj, – ishin fjalët sfiduese të teknikut, – kam besim të plotë tek idetë e mia, dhe kur erdha këtu nuk kisha iluzione se do ta arrija suksesin lehtë. Skuadra e ndjeu presionin e madh sepse luante në “San Siro”, dhe lojtarët janë me moshë të re. Më vjen keq vetëm sepse futbollistët luajtën keq, sikur të mos ishin stërvitur kurrë së bashku”.

Pavarësisht bindjes së Xhampaolos, dyshimet janë të mëdha nëse ai është njeriu i duhur për të drejtuar një skuadër kaq të madhe, ndërsa karriera e tij gati 20-vjeçare ka qenë e gjitha në klube të vegjël, diçka që ndoshta drejtuesit milanistë nuk e patën parasysh kur bënë zgjedhjen e tyre.

Sfidanti.al