Seria A nuk dëshiron ta pranojë, por dy javë mund të “digjen” nga koronavirusi!

Një ndeshje është e djegur, por mund të ketë më shumë. E tillë gjendja në Serinë A pas shpërthimit të epidemisë së koroanvirusit tek Xhenoa. Plot 11 lojtarë dhe 3 pjesëtarë të stafit teknik të gjenovezëve dolën pozitivë në testet për Kovid 19-ën, dhe menjëherë shkohet drejt shtyrjes së duelit të javës së ardhshme ndaj Torinos. Do të jetë Liga e Futbollit që do të vendosë, ndërsa ekziston rreziku që të pezullohet krejt java e 3-të.

Ndeshja tjetër tepër në dyshim është ajo mes Juventusit e Napolit, pikërisht sepse ishin të besuarit e trajnerit Gatuzo që luajtën fundjavën e kaluar ndaj Xhenoas, duke fituar 6-0. Futbollistët napolitanë kanë në plan dy tamponë këtë javë, që si rregull bëhen të martën e të enjten, veçse tensioni këtë herë është tepër i madh. Ndeshja është të dielën, por mbetet në rrezik, ndërsa priten përgjigjet e analizave.

Doktori Vincenco Mirone, profesor në Universitet në Napoli, dhë përgjegjës këshillin mjekësor në klubin e futbollit, thotë se lojtarët janë me moral të lartë, madje edhe me humor, ndërsa shton se duhet pritur deri të shtunën për përgjigjen e të dy testeve, e do të jenë dy klubet, Napoli e Juventusi, që do të vendosin për ndeshjen.

Seria A, pra, mund të quhet në kaos, por klubet shpresojnë që të ndihmohen nga ndërprerja e kampionatit për shkak të ndeshjeve të kombëtareve. Pra, java e 3-të mund të luhet pak më vonë, gjithnjë nëse gjendja me koronavirusin vendoset nën kontroll. Sipas informacioneve në rrezik janë dy javë kampionati.

Sfidanti.al