Përse Interi u zemërua me fjalët e yllit të tij, Romelu Lukaku!

Për një lojtar të tillë të gjithë flasin vetëm mirë. Tek Interi e quajnë veten me fat që kanë në skuadër Romelu Lukakun, por së fundmi drejtuesit e klubit milanez duket se janë zemëruar me sulmuesin belg. Futbollisti që ka shënuar shumë gola këtë sezon në Serinë A, i ka mërzitur krerët e Interit me disa fjalë të thëna së fundmi për koronavirusin.

Lukaku, në një bisedë, është shprehur se gjatë muajit janar shumë prej lojtarëve zikaltër ishin të sëmurë me grip, ndaj edhe munguan në stërvitje apo në ndeshje të caktuara. “Në janar, tek Interi ishim që të gjithë të sëmurë, – ishin fjalët e belgut, – mua gati po më binte të fiktë, dhe po kështu edhe ndonjë lojtari tjetër. Natyrisht, ne nuk mund ta dimë nëse kishim koronavirus apo jo, kjo nuk do të mësohet kurrë”.

Lukaku e ka fjalën për ndeshjen Inter-Kaljari në 26 janar, ndërsa në Itali rasti i parë zyrtar me koronavirus u deklarua një muaj më vonë. Drejtuesit e Interit nuk kanë dashur të bëjnë polemikë të hapur me futbollistin e tyre, por mediat italiane raportojnë se kanë mbetur të pakënaqur. Sipas tyre, në skuadër pati vetëm 4 lojtarë me grip, dhe kjo cilësohet normale për periudhën e dimrit.

Sfidanti.al