Një legjendë kthehet tek Sampdoria, tashmë si pronar!

E mbani mend Xhanluka Vialin? Sulmuesi “i racës”, sot në moshën 54-vjeçare, do të kthehet tek dashuria e tij e madhe, Sampdoria, veçse në rolin e pronarit. Lajmet nga Italia janë që grupi financiar i Vialit, i përfaqësuar nga specialistët Xhemi Dinën dhe Aleks Naster (Knaster) kanë arritur një akord me presidentin e tanishëm dorian, Masimo Ferreron. Ky i fundit, për momentin, përgënjeshtron, por lajmi në “La Gazeta delo Sport” shoqërohet me hollësi, sipas të cilave vlera e operacionit financiar do të arrijë në 100 milionë euro, dhe do të përfshijë edhe borxhet.

Viali ishte një legjendë e Sampdorias, një dashuri për tifozët, në vitet 1984-1992, kur arriti të fitonte titullin e parë dhe të vetëm kampion në 1991, në krah të yjeve të tjerë si Roberto Mançini, Xhanluka Paliuka, Toninjo Serezo, Pieto Vierkovud apo Atilio Lombardo, nën drejtimin e trajnerit të famshm Vujadin Boshkov dhe të presidentit të ndjerë Paolo Mantovani. Viali me shokë fituan Kupën e Kupave në 1990 dhe arritën finalen e Championsit, që e humbën në “Uembli” ndaj Barcelonës së Johan Krujfit.

Sfidanti.al