“Magjistricat” ndjekin Gatuzon: Benevento me një lojtar më pak mund Milanin!

Njëra gazetë sportive italiane shkruante sot: “Nuk ka turp më të madh. Milanin e mund në mes të ‘San Siros’ me një lojtar më pak ekipi më i keq i Serisë A!”. Benevento ofroi mbrëmë një nga befasitë më të mëdha të Serisë A së deritanishme, pasi mundi 0-1 në “San Siro” Milanin.

Duket se “magjistricat” (simboli i Beneventos) po e ndjekin nga mbrapa trajnerin e “kuqezinjve” milanezë, Xhenaro Gatuzo, pasi edhe në ndeshjen e tij debutuese, kur sapo u ul në stolin e drejtimit të Milanit, ai kishte përballë përsëri ekipin më shumë se modest të Beneventos që arriti, në fund të ndeshjes me një gol të shënuar nga portieri i saj në min. e 95-të, ta barazonte rezultatin në 2-2 dhe të fitonte pikën e parë mbas 15 javësh kampionati!

“Magjistricat”, në “San Siro”, shënuan edhe një rekord të vetin, pasi kjo ishte fitorja e parë e tyre jashtë fushës së vet. Mbas një “kurthi” të dështuar ofsajdi të mbrojtjes milaneze, Jemelo i Beneventos e kaloi në avantazh këtë të fundit në min. e 29-të dhe rezultati 0-1 u ruajt deri në fund të ndeshjes. Për ta bërë më të madh turpin për Milanin, ky i fundit nuk arriti të barazoi as kur ekipi mik mbeti në fushë me 10 lojtarë, pasi Diabates iu treguan dy kartonë të verdhë brenda pesë minutash dhe, kështu, ai u detyrua të dalë jashtë në min. e 80-të.

Sfidanti.al