Etrit Berisha lëshon sfidën për Ligën e Europës me Atalantën!

Nuk pësoi sërish gol, fitoi përsëri dhe seriozisht po mendon për Ligën e Europës. Etrit Berisha nuk përmbahet aspak vetëm pak ditë përpara se kombëtarja e tij shqiptare të luajë ndaj Izraelit në Botëror. Portieri kuqezi bëri disa pritje, ndërsa i lejoi vetes edhe ndonjë gabim, por vetëm ndërsa Atalanta kryesonte 3-0 në stadiumin e Sasuolos.

Një rezultat prej përrallash në fushën e njërës prej skuadrave vërtet me më pak emër, por më të forta të Serisë A në këtë fillim sezoni. Gomez, Konti e Kaldara shënuan për miqtë nga Bergamo, që ndodhen tani në vendin e pestë në Serinë A, baraz me pikë me Lacion që është e katërta. Vendi i dytë, Milani është vetëm 3 pikë larg.

Ndërkaq, një derbi mes tre lojtarëve shqiptarë u zhvillua në Serinë A. Frederik Veseli ishte fituesi, pasi skuadra e tij Empoli, triumfoi 4-0 në fushën e Peskarës. Përballë mbrojtësit të kombëtares ishin Ledian Memushaj dhe Rej Manaj, të cilët u përpoqën shumë, por më kot. Manaj pati rast për të shënuar, dhe Memushaj shërbeu topa të rrezikshëm për shokët, veçse golat i shënuan miqtë.

Dy herë Makarone, dhe nga një herë Puçareli dhe Saponara. Me këtë fitore, skuadra e Veselit e kaloi në renditje atë të Manajt dhe Memushajt, ndonëse për të gjithë ata mbetet rreziku për t’u rrëzuar në Serinë B.

B. Kuka