Etrit Berisha e kyçi sërish portën e Atalantës, në Serinë !

Nëse nuk do të kishte qenë goli i Ederit të Interit, Etrit Berisha tani do të kishte gati 400 minuta pa pësuar rrjetë në kampionatin italian. Edhe me atë që pësoi në përballjen me zikaltërit, sërish sezoni i portierit shqiptar është shumë i mirë.

Ai e mbylli edhe një herë “me çelës” portën e tij, këtë herë në suksesin 3-0 që Atalanta arriti ndaj Xhenoas, në javën e 11-të të Serisë A. E vërteta është që bergamaskët luajtën shumë mirë dhe numri 1 i kombëtares shqiptare pati pak punë, por atëherë kur u desh, tregoi nivelin dhe sigurinë e tij të zakonshme.

Dy herë Kurtiç dhe një herë Gomez i dhanë një tjetër sukses Atalantës së trajnerit Gasperini, që guxon të ngjitet në pjesën më të lartë të tabelës së renditjes. Berisha, padyshim, është një nga portierët më të mirë në një nga ligat më të forta të botës.

Periudha kur “ngrohte” i pafuqishëm stolin e Lacios duket tepër e largët, edhe pse kanë kaluar vetëm pak javë nga ndryshimi i skuadrës.

B. Kuka