Alegri me dhimbje koke, Bufon, Dibala e Pjaniç jo në apel!

Stolin e ka plot dhe kjo e ngroh, por kur mungojnë tre kampionë njëherësh asnjëherë nuk është e lehtë. Masimiliano Alegri ka dhimbje koke për ndeshjen e radhës në Serinë A, për shkak se Xhixhi Bufon, Paulo Dibala e Miralem Pjaniç nuk mund të përgjigjen në apel. Portieri e njëkohësisht kapiteni është i lodhur, argjentinasi e boshnjaku janë të dëmtuar. Mungesa e Bufonit do të thotë më pak organizim për mbrojtjen, dhe kjo sjell rreziqe edhe kur luhet në Torino ndaj një ekipi jo të elitës si Sampdoria.

“Bufon duhet të pushojë, – shprehet trajneri juventin, – kemi Neton. Në sulm do të luajnë Higuain-Manxhukiç (aspak keq, ë!), ndërsa në mesfushë duhet të zgjedh mes Markizios, Asamoahs e Ruganit”. Për Pjaniçin, njeriu i stolit thotë se është thuajse e sigurt që mungon deri në 12 nëntor kur të vijnë ndeshjet e kombëtareve.

Sa i tronditur është Juventusi pas humbjes me Milanin? Përgjigjet Alegri: “Me të vërtetë e keni? A e dini ju se ne jemi në vendin e parë”. “Askush nuk mund të pretendojë të dalë kampion pas vetëm 9 javësh, – thekson trajneri bardhezi, – për të fituar titullin duhet vazhdimësi”.

B. Kuka